Balla i kërkon mbështetje publikut në luftën kundër kultivimit dhe shpërndarjes së narkotikëve

19:21 | 26 Mars 2024
D.H

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla përgëzoi Policinë e Shtetit shqiptar në Shkodër për operacionet kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike pranë shkollave dhe kundër fenomenit të kultivimit, ku janë sekuestruar gjatë ditëve të fundit fara kanabisi.

“Lufta jonë kundër kultivimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, po merr çdo ditë mbështetje edhe më të madhe nga publiku, duke shtuar besimin tek Policia e Shtetit”, theksoi Balla në një reagim.

Në Vaun e Dejës është parandaluar dhe goditur një rast i tentativës për shitje të farave të cannabisit, me qëllim kultivimin e tyre.

Gjatë operacionit është goditur edhe një rast i shpërndarjes së dozave të cannabisit, në zona të ndryshme të Vaut të Dejës.

Policia ka finalizuar pas një pune hetimore disajavore, me metoda speciale, operacionin policor të koduar “Prova”.  Gjithashtu është kapur në flagrancë dhe vënë në pranga një 23-vjeçar që shiste fara kanabisi për t’i kultivuar dhe lëndë narkotike kanabis në doza.

Gjithashtu janë sekuestruar qindra doza dhe fara kanabis, që u gjetën gjatë kontrollit në automjetin dhe në banesën e këtij shtetasi./rtsh.al/

Të ngjashme