Google ADS

Kosova vlerëson thirrjet e Parlamentit Evropian për njohjen e Kosovës nga pesë vendet mosnjohëse

19:10 | 26 Mars 2024
E.G

Në Kuvendin e Republikës së Kosovës, sot u mbajt Sesioni i parë i Takimit të 11-të të Komisionit Parlamentar të Stabilizim Asocimit BE-Kosovë.

Në këtë takim, pjesëmarrës ishte dhe Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, bashkë me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, përfaqësuesen nga zyra e BE-së në Kosovë, AnnaCarin Platon, deputetja dhe kryetarja e Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asocim, Mimoza Kusari-Lila, si dhe bashkëkryesuesi i këtij komisioni, njëherësh eurodeputeti, Lukas Mandl.

Bislimi, në fjalën e tij, potencoi se “Republika e Kosovës i vlerëson lartë rezolutat dhe thirrjet e vazhdueshme të Parlamentit Evropian për njohjen e Kosovës nga 5 shtetet mos njohëse, për njohjen e progresit që Kosova ka arritur në reformat e thella politike dhe ekonomike, që ndërlidhen me integrimin tonë evropian, për marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë, për mirëpritjen e aplikimit tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, për mbështetjen e aplikimit tonë në Këshillin e Evropës, për thirrjen ndaj Komisionit Evropian për largimin e masave restriktive, edhe për dënimin e sulmit agresor e terrorist në Banjskë në termat më të ashpër. Për të gjitha këto, jemi thellësisht falënderues.”

Mes tjerash, ai shtoi se Kosova i përket Bashkimit Evropian dhe po punojmë secilën ditë që kjo të bëhet realitet sa më shpejtë, jo vetëm si qëndrim politik, por edhe si qëndrim e vullnet i qytetarëve të vendit.

Fjala e plotë e Zëvendëskryeministrit Bislimi, në mbledhjen e 11-të të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asocim:

I nderuar kryeparlamentar z. Konjufca,

Të nderuar bashkëkryesues të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asocim BE-Kosovë, znj. Kusari-Lila dhe z. Mandl,

I nderuar Ministër Rashiq,

E nderuara znj. Platon,

Të nderuar përfaqësues nga Presidenca e Republikës së Kosovës,

Të nderuar anëtarë të Komisionit të përbashkët, dhe të pranishëm,

Është kënaqësi të jem i pranishëm sot në mbledhjen e përbashkët të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asocim, ku fillimisht shpreh falënderimet ndaj juve si pjesëtarë të këtij Komisioni, e po ashtu edhe Parlamentit Evropian si institucion i cili gjithnjë ka reflektuar situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor me përpikëri dhe objektivitet të theksuar.

Republika e Kosovës i vlerëson lartë rezolutat dhe thirrjet e vazhdueshme të Parlamentit Evropian për njohjen e Kosovës nga 5 shtetet mos njohëse, për njohjen e progresit që Kosova ka arritur në reformat e thella politike dhe ekonomike, që ndërlidhen me integrimin tonë evropian, për marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë, për mirëpritjen e aplikimit tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, për mbështetjen e aplikimit tonë në Këshillin e Evropës, për thirrjen ndaj Komisionit Evropian për largimin e masave restriktive, edhe për dënimin e sulmit agresor e terrorist në Banjskë në termat më të ashpër. Për të gjitha këto, jemi thellësisht falënderues.

Ne besojmë se Kosova i përket Bashkimit Evropian dhe punojmë secilën ditë që kjo të bëhet realitet sa më shpejtë. Kjo nuk reflekton vetëm qëndrim politik të Qeverisë, por edhe qëndrimin që e mban secili qytetar në Republikën tonë, me një mbështetje masive për integrimin evropian të Kosovës me mbi 94%. Kësaj mbështetjeje, ne si Qeveri i jemi përkushtuar duke patur rritjen më të shpejtë të të gjithë treguesve demokratikë e ekonomik në rajon, si: drejtësia, liria e medias, qeverisja e mirë, perceptimi i luftës së korrupsionit, rritje e të hyrave buxhetore, rritje ekonomike, punësimi, formalizimi e shumë të tjera.

Ne i jemi bashkuar pa asnjë kusht sanksioneve të botës perëndimore kundrejt Rusisë pas agresionit të tyre ndaj popullit liridashës të Ukrainës. Kemi qenë vazhdimisht të angazhuar në bashkëpunim rajonal në kuadër të procesit të Berlinit, e tash do të vazhdojmë të jemi po aq të angazhuar edhe në Planin e Rritjes të Komisionit Evropian për reforma dhe për heqjen e barrierave të tregtisë mes vendeve të rajonit. Pra, edhe përkundër të gjitha vështirësive dhe pengesave të cilat i kemi para vetes, Kosova sërish shënon progres.

Sidoqoftë, vendi ynë nuk vepron në vakum. Kosova vepron në një ambient ku për mbrojtjen dhe përparimin e demokracisë kërkohet mbështetje nga qytetarët, nga shtetet në rajon, si dhe solidaritet e mbështetje e palëkundur edhe nga komuniteti ndërkombëtar. Demokracia asnjëherë nuk duhet të merret si e mirëqenë, sidomos tani kur e shohim se ajo vihet në rrezik nga autokratët dhe regjimet e tyre. Andaj, edhe progresi demokratik, duhet të mbështetet edhe më vrullshëm nga shoqëria transatlantike për shtetet ku ajo ekziston.

Progresi demokratik, tek ne para së gjithash, nënkupton anëtarësim në organizata ndërkombëtare me rëndësi strategjike. Anëtarësimi në Këshillin e Evropës, ku kemi aplikuar me 12 Maj të vitit 2022; dhe për të cilën disa ditë më parë u dha dhe rekomandimi nga vetë raportuesja që të ftohet Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.

Anëtarësim në Partneritetin për Paqe të NATO-s, ku në përvjetorin e 25-të të intervenimit të NATO-s në Kosovë, pra me 24 Mars, Komiteti i Përhershëm i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e ftoi Parlamentin e Kosovës që të bëhet anëtar i asociuar.

Anëtarësimi në BE, ku kemi aplikuar me 15 Dhjetor të vitit 2022, e për të cilin për fat të keq ende nuk është ndërmarrë ndonjë hap përpara dhe aplikimi ende nuk ka hyrë në agjendën e Këshillit Evropian. Kosova mbetet vendi i vetëm në gjashtëshen e Ballkanit Perëndimor, pa status kandidati për anëtarësim në BE. Ne besojmë se trajtimi i aplikimit të Kosovës është i mundshëm dhe para së gjithash i merituar. Nuk ka asnjë problemi teknik që Kosovës t’i dërgohet pyetësori, në mënyrë që kapacitetet tona institucionale, ato ligjore, e administrative të vlerësohen. Mosnjohja nga 5 shtete, nuk ka qenë problem për nënshkrimin e MSA-së, e as për marrjen e vendimit për viza. Vullnet të tillë dhe formulim i njëjtë duhet të përdoret edhe në këtë rast nga Këshilli i BE-së dhe institucionet tona e sidomos strukturat tona koordinuese të integrimit Evropian do të qëndrojnë të gatshme t’i përgjigjen këtij pyetësori, rezultatet e së cilës pastaj jemi të bindur që do të arrijnë të na sjellin rekomandimin për statusin e vendit kandidat.

Për më tepër, në konstelacionin e tanishëm gjeopolitik dhe situatën aktuale të sigurisë në kontinentin evropian, 5 shtetet mos njohëse të Kosovës duhet të ndërmarrin një pikë kthese të rëndësishme për ta njohur shtetin tonë, duke kontribuar kështu në mënyrë aktive në ruajtjen e paqes në Ballkanin Perëndimor dhe në tërë Evropën.

Çdo vend demokratik brenda BE-së dhe Këshillit të Evropës, e çdo individ që e njeh sadopak rajonin e Ballkanit Perëndimor, e di se Kosova është një nga vendet më demokratike në rajon dhe se kushtetuta jonë është më e avancuara në Evropë për sa i përket mbrojtjes së të drejtave të pakicave apo komuniteteve jo shumicë. Megjithatë, mungesa e progresit në anëtarësimin e Kosovës në këto organizata nuk shkaktohet nga faktori i kualitetit të demokracisë apo faktori i mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të pakicave, por nga faktorë real jashtë kontrollit tonë që në këtë rast është sjellja e një regjimi autoritar rreth nesh.

Në këtë frymë, çdo përmirësim dhe reformë siç janë: rritja mesatare ekonomike për kokë banori, e cila ishte 6.2% në tri vitet e kaluara, dyfishimi i eksporteve dhe investimeve të huaja direkte, përmirësimi në të gjithë indikatorët demokratik e të të drejtave e njeriut, hapat e ndërmarrë drejt integrimit rajonal, si dhe çdo arritje tjetër e Republikës së Kosovës do të ketë pak rëndësi për pozitën e Kosovës ndërkombëtarisht nëse ky ritëm dhe kjo dinamikë e padrejtë do të vazhdojë.

Përgjigja e Bashkimit Evropian dhe NATO-s ndaj kërcënimeve të sigurisë në rajonin lindor të Evropës ka qenë shumë e qartë: integrim në NATO për Finlandën dhe Suedinë, status kandidati për Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë, e së fundmi edhe hapjen e negociatave për Bosnjë dhe Hercegovinën.

Ne i përshëndesim të gjithë këto hapa të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s. Kështu edhe kërcënimi i sigurisë ndaj Ballkanit Perëndimor duhet të trajtohet me të njëjtën mënyrë dhe shumë thjeshtë. Pra, duhet të:

1. Largohen masat restriktive, dhe tashmë absurde, ndaj Kosovës

2. Duhet sa më shpejt Kosova të marrë statusin e kandidatit për BE dhe

3. Na duhet anëtarësimi në Këshillin e Evropës.

Krejt në fund më lejoni të theksoj që mes mjegullës politike është shumë e rëndësishme që të ketë zëra që e kumbojnë realitetin dhe kërkojnë masa që garantojnë sigurinë dhe paqen, në mënyrë që shtetet e demokracitë tona të jenë të mbrojtura dhe të kenë kushte optimale për zhvillim. Ky është roli që shumë nga ju e luani në përditshmërinë tuaj, andaj ju falënderoj për atë që e bëni secilën ditë. Ju do të gëzoni gjithmonë mbështetjen tonë për të punuar drejt paqes, sigurisë, dhe demokracisë, jo vetëm në rajon por edhe në gjithë Evropën./Arbresh.info/

Të ngjashme