Google ADS

Krerët e shtetit letër Bakoyannisit për Asociacionin, reagon Haradinaj

12:33 | 26 Mars 2024
K.B

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar për letrën të cilën krerët e shtetit i kanë dërguar raportueses së KiE, Dora Bakojanis, e cila përfshin edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Haradinaj shkruan se letra e tre krerëve shtetëror dërguar raportueses së KiE, Dora Bakojanis, mund të jetë standard para aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por kurrsesi nuk mund të cilësohet formalitet, siç e quan pushteti, sepse gama e zotimeve në atë letër është shumë e gjërë dhe përfshinë obligime konkrete.

Haradinaj tutje thotë se krerët zotohen se do të zbatojnë të gjitha nenet e marrëveshjeve të Brukselit e Ohrit, duke përfshirë edhe Asociacionin.

Por ai ka një pyetje, sipas tij pse është pasur nevojë që deri me tash ta zhagisin zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

“Ata zotohen se do të zbatojnë të gjitha nenet e marrëveshjeve të Brukselit e Ohrit, duke përfshirë edhe Asociacionin. Pyetja është, pse kanë pasur nevojë që deri me tash ta zhagisin zbatimin e kësaj marrëveshjeje e të thonë herë e zbatojmë herë nuk e zbatojmë. Psh. thuhet se liderët institucionalë zotohen se “do të respektohet pavarësia e gjyqësorit dhe do të hiqet dorë nga “kritikat e tepruara ndaj gjyqësorit”. Kjo dmth se këta zotohen të heqin dorë nga diçka që e kanë aplikuar deri me tash”, shkruan Haradinaj, përcejll Arbresh.info

Postimi i tij i plotë pa ndërhyrje:

E kuptueshme që letra e tre krerëve shtetëror dërguar raportueses së KiE, Dora Bakojanis, mund të jetë standard para aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por kurrsesi nuk mund të cilësohet formalitet, siç e quan pushteti, sepse gama e zotimeve në atë letër është shumë e gjërë dhe përfshinë obligime konkrete.

Ata zotohen se do të zbatojnë të gjitha nenet e marrëveshjeve të Brukselit e Ohrit, duke përfshirë edhe Asociacionin. Pyetja është, pse kanë pasur nevojë që deri me tash ta zhagisin zbatimin e kësaj marrëveshjeje e të thonë herë e zbatojmë herë nuk e zbatojmë.

Psh. thuhet se liderët institucionalë zotohen se “do të respektohet pavarësia e gjyqësorit dhe do të hiqet dorë nga “kritikat e tepruara ndaj gjyqësorit”. Kjo dmth se këta zotohen të heqin dorë nga diçka që e kanë aplikuar deri me tash.
Aty thuhet “Të përmbahemi nga përdorimi i policisë speciale në veri të Kosovës për detyra të zakonshme policore e të sigurohemi se ato dislokohen vetëm në rast nevoje”, që i bjen se deri me tash nuk e kanë zbatuar këtë standard që aq shpesh është kërkuar nga aleatët tanë.

Zotohen për shpronësimet në veri; Për mbrojtjen e pronave të Kishës Ortodokse Serbe; Për integrimin e pakicave; për gjuhët e tyre, shkollimin tekstet … e kështu me radhë.

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është ngjarje e madhe dhe hap i rëndësishëm drejt integrimit në BE dhe ndoshta letra e zotimeve drejtuar Bakojanis përfshihet në këtë kuadër, por është e habitshme se si liderët institucionalë të Kosovës, deri me tash kanë shpërfillur kërkesat e njëjta nga nivele shumë të larta të ShBA dhe BE, dhe pikërisht për këtë sot jemi edhe nën sanksione, edhe në marrëdhënie shumë të acaruara me ShBA e BE, edhe të detyruar t’i përsërisim zgjedhjet në veri, edhe të merremi me dinarin, edhe në pozitën më të keqe të mundshme në procesin e dialogut me Serbinë./Arbresh.info/

Të ngjashme