Hoxha: Situata e sigurisë në veri e brishtë, me mundësi tensionimi

11:14 | 26 Mars 2024
E.K

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se situata e përgjithshme e sigurisë në vend vlerësohet të jetë e qetë, megjithatë në pjesën veriore të vendit mbetet e brishtë.

Gjatë raportimit në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, lidhur me raportin vjetor të punës për vitin 2023.,

Hoxha ka përmendur incidentet kriminale gjatë vitit të kaluar.

“Vlen të veçohen disa prej rasteve dhe incidenteve kriminale gjatë vitit 2023 si sulmi ndaj gazetarëve dhe pjesëtarëve të KFOR-it, kidnapimi i tre zyrtarëve policorë, sulmi i 24 shtatorit në Banjskë”, tha ai.

Ai përmendi edhe disa prej veprave më të rënda kriminale gjatë vitit 2023.

“Kemi pasur rritje nga 21 në 29 raste të vrasjeve. Dhuna në familje, fatmirësisht ka pasur ulje gjatë këtij viti prej 10.77%”, deklaroi Hoxha.

Ai ka theksuar se gjatë vitit 2023 janë zbatuar 73 urdhra operativ, teksa plane operative kanë qenë 1889.Tek aksidentet me fatalitet, Hoxha tha se 96 sosh kanë qenë në vitin 2023.

”Numri i personave të vdekur në aksidente ka mbetur i njëjtë si vitin e kaluar 106″, shtoi ai.

Hoxha ka thënë tutje se në vitin 2023 në Drejtorinë Policore në veri kanë dhënë dorëheqje 11 zyrtarë policorë, ndërsa në vitin 2024 nuk ka dorëheqje në Policinë e Kosovës./eo

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme