Kurti kujton 25 vjetorin e masakrave serbe në Gjakovë e Rahovec

20:21 | 25 Mars 2024
E.G

Kryeministri i Kosovës, Albin  Kurti ka kutjuar 25 vjetorin e masakrës në Rahovec dhe Gjakovë.

Me anë të një postimi në Facebook, ai tha se më 25 mars 1999, në Fortesë të Rahovecit u vranë 69 shqiptarë, mes tyre 15 fëmijë. Më i vogli ishte 3 vjeç.

Kurti shtoi se atë ditë në Celinë të Rahovecit, rreth 500 ushtarë të Serbisë hynë në fshat nga katër drejtime. Ata vranë e masakruan 82 persona të moshave të ndryshme. 18 nga trupat i dogjën.

“13 nga të vrarët ishin fëmijë: Alma (18 muajshe), Albani (5 vjeҫ), Bledari (8 vjeҫ), Besarti (10 vjeҫ), Altini (10 vjeҫ), Albulena (11 vjeҫe), Suzana (11 vjeҫe), Burbuqja (13 vjeҫe) nga familja Zeqiri, Ramazani (8 vjeҫi), Mejremja (15 vjeҫe) dhe Gëzimi (17 vjeҫ) nga familja Salihu, dhe Bedrush Hasani (15 vjeҫ) e Alban Rexhepi (14 vjeҫ).”, ka shkruar ai.

Më tej, kryeministri tha se po atë ditë në masakrën në Brestoc të Rahovcit, forcat e armatosura serbe vranë 54 shqiptarë.

“25 vite më parë, masakrat mizore të Serbisë mbi popullsinë civile, lanë edhe 46 të vrarë në Tërnje të Suharekës dhe 20 të vrarë në Goden të Gjakovës, kufomat e të cilëve pastaj u dogjën. Në Randobravë të Prizrenit, forcat serbe vranë 8 anëtarë të familjes Pajaziti. Në mesin e tyre ishte një nënë me katër fëmijët e saj, të moshave ndërmjet 7 dhe 2 vjeç.”, ka shtuar ai.

Një ditë më parë kishte filluar fushata bombarduese nga forcat e NATO-s, me qëllim të ndalonin gjenocidin që po e kryente shteti i Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Pas fillimit të sulmeve ajrore, forcat e RFJ-së dhe të Serbisë filluan fushatën e tyre të gjerë dhe sistematike për vrasjen dhe dëbimin me dhunë të shqiptarëve të Kosovës.

Bombardimet e NATO-s ndaluan projektin gjenocidal të Serbisë për shfarosjen e shqiptarëve.

“Me ndihmën e vendeve aleate të NATO-s e arritëm lirinë e Kosovës, me rrënjët në gjakun e martirëve dhe dëshmorëve”, kujton Kurti.

“I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë të rënët për lirinë që e gëzojmë!”, ka përfunduar shkrimin e tij kryeministri Kurti./Arbresh.info/

Të ngjashme