Google ADS

Konjufca në ekspozitën “Kosova në gjuhët e botës”: Lufta e popujve për liri duhet të zhvillohet në shumë fronte

16:28 | 25 Mars 2024
E.G

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, mori pjesë në ekspozitën “Kosova në gjuhët e botës”, hapur nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës me rastin e 25-vjetorit të sulmeve ajrore të forcave të NATO-s kundër Serbisë dhe Jugosllavisë.

Konjufca tha se ndien kënaqësi të veçantë që po merr pjesë në hapje të kësaj ekspozite, në veçanti në 25 vjetorin e sulmeve ajrore të NATO-s në ish-Jugosllavi.

“Përkimi i kësaj ekspozite të librave të shkruara për Kosovën në gjuhë të huaj, me luftën që NATO e nisi për të shpëtuar popullin e Kosovës nga spastrimi etnik dhe gjenocidi, na nxit domosdoshmërisht të reflektojmë se lufta e popujve për liri e çlirim, e veçanërisht e popujve të vegjël, gjithnjë duhet të zhvillohet në shumë fronte, sepse ajo shumë shpesh varet nga aleanca dhe mbështetja e popujve dhe shteteve të mëdha”, tha kryetari Konjufca.

Kreu i Kuvendit shtoi se sensibilizimi i opinionit botëror për çështjen e Kosovës dhe të drejtën e saj për liri dhe pavarësi nga Serbia ka qenë një front i rëndësishëm në realizimin e aspiratave të popullit shqiptar dhe se ishin autorët e huaj, përkatësisht kontributi i tyre që ndikoi padyshim në krijimin e një opinioni pozitiv në botë për lirinë e shqiptarëve.

“Kjo ka qenë veçanërisht e rëndësishme edhe për faktin se propaganda serbe kundër Kosovës në qarqet evropiane e perëndimore ka qenë e hershme dhe intensive. Pavarësisht kontributit që elitat tona intelektuale, duke përfshirë edhe shumë anëtarë të nderuar të kësaj Akademie, kanë dhënë në përhapjen e të vërtetës shkencore e historike për Kosovën dhe çështjen e pazgjidhur shqiptare në Ballkan, kontributi i autorëve të huaj, miqve të Kosovës, shumë prej të cilëve kanë bartur edhe detyra të larta drejtuese, ka ndikuar pa dyshim në krijimin e opinionit pozitiv të publikut të huaj mbi të drejtën e vendit tonë për liri dhe pavarësi”, tha kryetari i Kuvendit.

 Ai përmendi me këtë rast botimin e shumë librave të autorëve, të cilët edhe vetë ishin përfshirë në luftën për liri dhe pavarësi të Kosovës, si ish-presidentin amerikan Bill Clinton, ish-sekretaren e shtetit Madeleine Albright, ish-kryeministrin e Britanisë së Madhe, Toni Blair, ish-kryeministrin e Italisë, Massimo D’Alema, ish-ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Joshka Fischer, ish-komandantin e NATO-s, Wesley Clark e shumë figura të njohura ndërkombëtare, në librat e të cilëve, siç tha kryetari Konjufca, çështja e Kosovës zë një kapitull të veçantë dhe mbetet si një trashëgimi në kujtesën historike në shoqërinë e tyre.

“Këto biografi e libra analizash të periudhave kur ata vepruan mbesin edhe si një argument që do t’u shërbejë pasardhësve të tyre për të mos harruar politikën e drejtë që ata ndoqën në përkrahje të çlirimit dhe të pavarësisë së Kosovës”, tha kryetari Konjufca.

Me këtë rast kryetari i Kuvendit përgëzoi ASHAK-un për ekspozitën me botimet e librave të këtyre miqve, që siç tha ai, është jo vetëm shenjë mirënjohje ndaj tyre, por edhe kujtesë se sa e rëndësishme është që të triumfojë e vërteta përballë propagandës, si një kusht esencial për paqe në botë./Arbresh.info/

Të ngjashme