Google ADS

Tre vite të qeverisë Kurti/Bislimi: Shtetin e drejtuam kah e mbara: zhvillimi, drejtësia e siguria

20:26 | 24 Mars 2024
E.G

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka treguar të arriturat e qeverisë gjatë këtyre tre viteve.

Me anë të një postimi në Facebook, Bislimi tha se shtetin e drejtuan nga e mbara: zhvillimi, drejtësia e siguria, shkruan Abresh.info.

“Në integrim evropian, zhvillim ekonomik, dhe dialog, trasuam rrugën për një trajektore të re, progesiste por edhe të qëndrueshme, e cila i forcon themelet e avancimit demokratik të shtetit, përparimit ndërkombëtar dhe mbrojtjes së interesave të Republikës e përfaqësimit dinjitetshëm të saj.”, u shpreh Bislimi.

Ai tregoi edhe të arriturat në fushën e ekonomisë duke thënë se për tri vitet e fundit rritja mesatare ekonomike ishte 6.2 %.

“Ndërsa në zhvillim ekonomik patëm rritje mesatare ekonomike 6.2% për tre vitet e fundit e rritje të punësimit më shumë se ndonjëherë më parë, në integrim evropian nënshkruam marrëveshje dhe përmbushëm detyrimet në kuadër të atyre ekzistuese, e me anë të cilave do të përfitohen edhe gjithsej 229 milionë euro në formë grantesh, nga BE-ja e partnerë të tjerë.”, u shpreh ai.

“Ekonomia u zhvillua e njohu dyfishim të eksporteve dhe investimeve të huaja direkte, por edhe rritje të qarkullimit të bizneseve, ku vetëm gjatë vitit 2023 i njëjti ishte 58% më shumë në krahasim me vitin 2019. Raporti eksport-import u përmirësua nga 1:9 në 1:6 dhe shpenzimet kapitale në vitin 2023 kanë arritur në nivelin më të lartë në historinë e vendit, në vlerën prej mbi 555 milionë euro të ekzekutuara.”, shtoi Bislimi

“Nga 420 mijë vende aktive të punës, gratë dhe të rinjtë ishin përfituesit më të mëdhenj, përmes mbështetje direkte në punësimin e mbi 12 mijë grave dhe dyfishimin e numrit të të rinjve të punësuar. Në fillim të vitit 2021 ishin 28,293 të rinj kurse në vitin 2023 arriti shifrën prej 60,884.”, tha mes të tjerash zëvendëskryeministri Bislimi.

Ndër të tjera, ai përmendi edhe liberalizmin e vizave si dhe pakot mbështetëse.

“Gjatë kësaj qeverisjeje tonë, u kujdesëm dhe që benefitet e rritjes së shënuar, të shpërndahen në mënyrë sa më të barabartë midis të gjithë qytetarëve të vendit. Ndër të tjera, realizuam dy pako mbështetëse për qytetarë në përballje me inflacionin dhe krizën energjetike në vlerë 250 milionë euro, shpërndamë shtesa për mbi 55 mijë nëna lehona dhe shtesa për mbi 400 mijë fëmijë nën moshën 16 vjeçare.”, tha ai.

Zëvendëskryeministri Bislimi tha se këtë progress e dëshmojnë edhe vlerësimet dhe rankimet ndërkombëtare.

“Për 21 vende u rritëm në Indeksin e Transparency International, 22 vende më lart në Indeksin e Lirisë së Mediave, ishim të parët në Ballkanin Perëndimor, të dytët në Evropë dhe të tretët në botë sipas Freedom House për përmirësim në të drejtat politike dhe liritë civile, të parët në Ballkanin Perëndimor për nga rritja e grumbullimit të të hyrave, sipas FMN-së, si dhe përfituam pakon më të madhe mbështetëse në rajon për qytetarë në përballje me inflacionin dhe krizën energjetike, si përqindje e BPV-së, sipas Bankës Botërore.”, ka thënë mes të tjerash ai.

Po ashtu, ai tha se rryma në veri ka nisur të paguhet.

“Rryma në veri, ka filluar të paguhet për herë të parë, e poashtu dhe targat ilegale u larguan nga qarkullimi. Rendi dhe ligji mbizotërojnë tashmë në çdo cep të vendit. Procesi i dialogut u kthye drejt rrugës së normalizimit dhe njohjes reciproke, por të cilën fqinji ynë verior vijon ta refuzojë, siç po e dëshmojnë me Marrëveshjen Bazike të Brukselit dhe Aneksin Implementues të Ohrit. U demaskua qasja e tyre destruktive, por ne vijuam angazhimin tonë, duke shfaqur konstruktivitet e duke qenë palë aktive, përmes ofrimit në vazhdimësi të propozimeve e ideve në çështjet rreth dialogut.”, u shpreh mes të tjerash Bislimi.

“Ky vit i fundit i mandatit tonë të parë të plotë qeverisës, do të vijojë me të njëjtin përkushtim, energji e ritëm të punës. Bashkë kemi arritur shumë, e bashkë do të bëjmë edhe më shumë. Drejt fuqizimit të zhvillimit dhe prosperitetit për shtetin tonë.”, përfundoi ai./Arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme