Sot mbushen 25 vjet nga sulmet e NATO-s ndaj ish-Jugosllavisë. Në 25 vjetorin e sulmeve të NATO-s ndaj ish-Jugosllavisë, ish-zëdhënësi i NATO-s, gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea tha se ishte vendim i duhur bombardimi i forcave serbe në vitin 1999.
Shea tha se vendim i NATO-s, ishte i duhur në atë kohë dhe ai beson se është shfajësuar nga historia. “Në javët e para të vitit 1999, represioni serb ndaj popullatës civile kosovare po përkeqësohej qartë. Masakra në Reçak shënoi një pikë kthese në brutalitetin e saj dhe regjimi i Millosheviqit kishte refuzuar paqen e kompromisit që ishte negociuar midis Beogradit dhe delegacionit të Kosovës në Rambuje dhe Paris”, theksoi ai.
Sipas tij, NATO i kishte dhënë opsionit diplomatik çdo mundësi për të punuar, por qartësisht nuk mund të qëndronte mënjanë pasi dhuna dhe kriza humanitare u intensifikuan në Kosovë.
“Kështu ajo filloi fushatën ajrore kundër regjimit të Millosheviqit dhe forcave të tij përgjegjëse për shkeljet e të drejtave të njeriut në fund të marsit. Fakti që më pas refugjatët dhe personat e zhvendosur kosovarë mundën të kthehen në shtëpitë e tyre dhe se populli i Kosovës gjatë 25 viteve të fundit ka qenë në gjendje të jetojë në paqe dhe siguri (edhe pse larg nga e përkryera) tregon se ndërhyrja e NATO-s pati sukses dhe u justifikua”, tha ai.
Shea e ka përshkruar edhe konsensusin për ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999.
“Në prag të fushatës ajrore, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s mblodhi në zyrën e tij ambasadorët e 19 vendeve anëtare të aleancës dhe u bëri dy pyetje. A ishte ai i autorizuar për të nisur fushatën ajrore dhe ishte secili aleat i sigurt se ishte e nevojshme dhe kishte një bazë të fortë ligjore në të drejtën ndërkombëtare humanitare. Të gjithë u thanë po të dyja pyetjeve pa përjashtim. Pra NATO veproi në bazë të një konsensusi të plotë dhe ai solidaritet vazhdoi deri në fund të fushatës ajrore dhe lirisë së popullit kosovar”, tha ai.
Edhe pse kanë kaluar 25 vjet, Serbia ende vazhdon të refuzojë të pranojë krimet e kryera nga ish-regjimi i Millosheviqit, për këtë Shea tha se është përgjegjësi e çdo shteti të pajtohet me historinë e tij, si të keqe ashtu edhe me të mirë.
“Kjo është edhe më e nevojshme kur provat për krimet e luftës janë dërrmuese dhe të dokumentuara mirë përtej dyshimit shkencor apo ligjor. Udhëheqësit serbë, si Millosheviçi, u paditën nga Gjykata Ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara për akuza të shumta për krime lufte duke përfshirë gjenocidin”, theksoi ai për RTKlive.
Duke shtuar se të përpiqesh të mbulosh fakte të forta me mohime, shtrembërime dhe kundër akuza është një abdikim i përgjegjësisë politike në një kohë kur kaq shumë vende të tjera në Evropë e kanë pranuar publikisht anën e errët të historisë së tyre, pavarësisht nëse ka të bëjë me tregtinë e skllevërve, deportimin e hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore ose përdorimin e torturës në Luftën e Algjerisë.
“Vendet që e kthejnë historinë e tyre në mite janë shpesh partnerë jo të besueshëm siç ka treguar Rusia e Putinit në dekadat e fundit. Stabiliteti në Ballkanin Perëndimor gjithashtu ka nevojë që vendet të japin llogari me ndershmëri dhe plotësisht për të kaluarën dhe t’ua lënë këtë punë historianëve profesionistë dhe jo politikanëve apo mediave. Kështu që unë mund të shpresoj vetëm se Serbia do të ndjekë shembullin e mirë të shumë vendeve të tjera evropiane. Të jesh evropian do të thotë të jesh i sinqertë për të kaluarën, në mënyrë që të ndërtosh një të ardhme më të mirë, në vend që të riprodhosh pafundësisht armiqësitë e vjetra historike”, deklaroi Shea.
Hamza në Rahovec: Jemi adresa e zhvillimit të bujqësisë, eko...
“Kobra”: Në natën kritike, rreth 30 persona ishin lënduar, j...
Biden zhvlerësoi urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare për arrest...
Vrasja te lokali “Kobra City”, Babai i viktimës: Më ka ik fë...
Vdes rreshteri i Policisë së Kosovës
Akuzohet për vrasje, “Kobra”: Nuk ndihem fajtor