Google ADS

Dialogu Kosovë-Serbi, analistët serbë: BE-ja do ta mbajë me çdo kusht

20:28 | 23 Mars 2024
R J

Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit që pati në fillim të javës me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq, paralajmëroi një tjetër takim për të hënën, ku për temë do të jetë ‘Rregullorja e BQK-së’ mbi përdorimin e valutave.

Në lidhje më këtë çështje, analistë të kësaj fushe në Beograd besojnë se BE-ja dëshiron të mbajë dialogun me çdo kusht, ndonëse në këtë proces nuk dihet si do të zgjidhen problemet aktuale.

Takimi i delegacionit të Serbisë dhe Kosovës në Bruksel, për zgjidhjen e problemit te dinarit, në Beograd shihet si hap i vogël përpara në një proces të ndërlikuar.

Lidhur me këtë, theksohet se dialogu po zhvillohet në atmosferë tensioni, që pengon zgjidhje cilësore.

“Edhe pse nuk mund të presim asgjë të rëndësishme, megjithatë, diçka po lëviz. Po shohim se nuk ka aq shumë rezistencë ndaj shfuqizimit të dinarit sa ndoshta priste dikush. Tabelat janë pranuar pas një viti tensioni dhe disi gjërat po shkojnë. Keq është se po ecën ngadalë dhe në një atmosferë jo e mire. Nuk mendoj se kjo do t’i sjellë ndonjë të mirë asnjërës palë dhe veçanërisht nuk shoh perspektivë në një atmosferë të zgjidhjeve të detyruara dhe do të doja që kjo të bëhej në një mënyrë krejtësisht tjetër”, thotë për RTK Zoran Vulletiq nga Forumi Demokratik Qytetar.

Nëse do të ketë zgjidhje të pranueshme, palët do ta kuptojnë të hënën, në takimin e dy delegacioneve. Ndërkohë emisari evropian, Miroslav Lajçak, përmendi se në takimin e liderëve do të diskutohet për zbatimin e ‘Marrëveshjes për rrugën e normalizimit’, por nuk janë dhënë detaje të tjera.

Njohësit e zhvillimeve besojnë se vendet kyçe të BE-së dhe SHBA-ja po bëjnë presion mbi palët me synimin për të përmbushur afatet dhe rezultatet konkrete.

“Pasi marrëveshja u nënshkrua një vit më parë për BE-në është e rëndësishme që të fillojë ta zbatojë atë, sepse kishim një periudhë shumë të gjatë pa zbatim. Duhet pranuar se Beogradi, tashmë, ka filluar zbatimin, por i mungon zbatimi thelbësor e që është një lloj autonomie për serbët në Kosovë. Marrëveshja, në vetvete, po hyn në një fazë të rrezikshme, kur nuk zbatohet për një kohë të gjatë. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme edhe për BE-në, si lehtësuese e procesit, të realizohet ajo marrëveshje”, Millosh Pavkoviq nga Qendra për Politika Evropiane.

Analistët besojnë se takimi në Bruksel, në nivel të negociatorëve, tregon se BE-ja dëshiron të mbajë dialogun me çdo kusht, por se në këtë proces nuk dihet si do të zgjidhen problemet aktuale, si dhe pikat e dakorduara në Bruksel dhe Ohër./rtk

Të ngjashme