Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Muratin kanë mbajtur konferencë për media në tre vjetorin e Qeverisë Kurti II.
Gjatë konferencës, Kurti tha se janë krenar dhe ballëhapur për rezultatet që kanë shënuar gjatë këtyre tre vjet qeverisje.
“Po i mbushim 3 vjet qeverisje dhe kemi shënuar rezultate për të cilat jemi krenar dhe ballëhapur. Punësimi është më i lartë se çka qenë ndonjëherë. Kemi dyfish më shumë të rinj të punësuar në treg të punës se kur e morëm detyrën. Mbi 12 mijë gra më shumë kanë vende pune përmes masave dhe mbështetjes sonë direkte. Në këtë mes ka edhe formalizim të punësimit. Por, formalizmi i ekonomisë është përpjekje e vazhdueshme e qeverive, dhe kur ajo ndodhë është po ashtu sukses i Qeverisë”, tha Kurti, shkruan Arbresh.info
Kurti foli edhe për hendekun e raportit eksport-import, ndërsa tha se e kanë përkrahur prodhimin vendor.
“E kemi zbutur hendekun e raportit eksport-import sepse e kemi nxitur dhe e kemi përkrahur prodhimin vendor. Nga 1 me 9 sa ishte, tash është 1 me 6. Gjatë kësaj kohe qarkullimi i bizneseve është rritur nga 12.5 miliardë sa ishte në vitin e 2019, në 19.76 miliardë në vitin 2023, pra ngritje për 57%”, tha Kurti.
Fjala e plotë e kryeminstrit Albin Kurti në 3-vjetorin e qeverisjes;
Të nderuar përfaqësues të medieve të pranishme sot,
Të dashur qytetarë,
Po i mbushim 3 vjet qeverisje dhe kemi shënuar rezultate për të cilat jemi krenar dhe ballëhapur. Punësimi është më i lartë se çka qenë ndonjëherë. Kemi dyfish më shumë të rinj të punësuar në treg të punës se kur e morëm detyrën. Mbi 12 mijë gra më shumë kanë vende pune përmes masave dhe mbështetjes sonë direkte. Në këtë mes ka edhe formalizim të punësimit. Por, formalizmi i ekonomisë është përpjekje e vazhdueshme e qeverive, dhe kur ajo ndodhë është po ashtu sukses i Qeverisë.
E kemi zbutur hendekun e raportit eksport-import sepse e kemi nxitur dhe e kemi përkrahur prodhimin vendor. Nga 1 me 9 sa ishte, tash është 1 me 6. Gjatë kësaj kohe qarkullimi i bizneseve është rritur nga 12.5 miliardë sa ishte në vitin e 2019, në 19.76 miliardë në vitin 2023, pra ngritje për 57%.
Ka më shumë sundim të ligjit. Korrupsioni po luftohet. Eliminimi i tij varet nga prokuroria dhe gjyqësori. Në indeksin e Transparency International jemi përmirësuar për gjithsej 21 vende në 3 vjet. Paraja publike shpenzohet me përgjegjësi dhe ruhet e mbrohet gjithashtu. Mbi 145 milionë euro janë kursyer buxhetit të Kosovës nga tre procese të fituara në arbitrazhin ndërkombëtar. Numri i inspektimeve nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut është rritur për rreth 63% në krahasim me vitin 2019 – shifër kjo rekord e inspektimeve.
Në veri është ulur ilegaliteti, e po rritet ligjshmëria. Janë mbyllur rrugë ilegale, laboratore droge e të kriptovalutave. Në vend të tyre janë hapur e funksionalizuar zyret e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës dhe të Kadastrave Komunale në shërbim të qytetarëve dhe të bizneseve të ligjshme. Me largimin e targave ilegale, siguria publike është më e mirë. Atje tash po shtrohen rrugë, po ndërtohen shtëpi të banorëve, e modernizohet infrastruktura e telekomunikimit dhe internetit për shërbimet 4G+ dhe 5G.
I kemi qëndruar besnik premtimit që u kemi dhënë nënave lehona dhe fëmijëve nën moshën 16 vjeçare. Së bashku, ata për herë të parë marrin mbështetje nga shteti i tyre. Ata gjithmonë kanë qenë aty. Por shteti nuk ka qenë aty me ta, e për ta. Mbi 55 mijë nëna lehona dhe mbi 400 mijë fëmijë janë përfitues të shtesave respektive.
E kemi mbajtur fjalën për studentët kur kemi thënë se arsimi i lartë publik do të jetë falas. Edhe për bujqit kemi thënë se do ta reformojmë e përmirësojmë sektorin e bujqësisë, nëpërmjet eliminimit të keqmenaxhimit dhe keqpërdorimit të atëhershëm. Këto 3 vite, në total kemi ndarë mbi 226 milionë euro mbështetje financiare për fermerë përmes subvencioneve dhe granteve. Mbi 30 mijë fermerë meritorë të mbështetur çdo vit. E rezultati, rekord i tokës së punuar.
Arsimi dual për të cilën kemi folur gjatë sa kemi qenë opozitë, po bëhet sa jemi në qeverisje. Ajo është një prej ndërmarrjeve më të mëdha për ta lidhur dhe ndërlidhur shkollimin profesional me tregun e punës, pra arsimin me ekonominë. Në vitin e dytë akademik të zbatimit, janë gjithsej 12 profile, në 21 shkolla profesionale, në 14 komuna anë e kënd Kosovës, në të cilat deri më tani janë të përfshirë 920 nxënës.
Në sektorin energjisë, kemi bërë hapa tejet të rëndësishëm dhe historik drejt tranzicionit të drejtë energjetik. Kemi nënshkruar marrëveshje në vlerë 236.7 milionë dollarë me MCC, Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit për bateritë. Së fundmi, themeluam ndërmarrjen publike Korporata e Ruajtjes së Energjisë (KRE) përgjegjëse për menaxhimin e 125 megavat të kapacitetit të sistemit të ruajtjes së energjisë me bateri. Përmbyllëm me sukses procesin e ofertimit duke pranuar 6 oferta (nga korporata, nga Franca, Turqia, Egjipti, Gjermania, Kosova dhe Zvicra) për Ankandin e parë për energji solare me kapacitet 100 megavat. Ndërkohë, po bëjmë përgatitjet për ankandin e radhës i cili do të jetë për energji të erës me kapacitet 150 megavat.
Ushtrinë e kemi më të fortë e më të përgatitur, sepse buxhetin e ka dyfish më të lartë; investimet në armatim i ka trefish më të mëdha; ndërkaq në kazerma ka 1852 ushtarë më shumë, plus 600 rekrutë të tjerë sivjet përveçse pajisje ushtarake moderne që nuk i kemi pasur më herët.
Pas tejkalimit të pandemisë Covid-19 falë betejës vetëmohuese të stafit shëndetësor; sigurimit të 2.2 milionë vaksinave që nuk i gjetëm kur morëm detyrë; dhe vaksinimit me shpejtësi rekord të mbi 60% të popullatës së rritur, në shëndetësi kemi kaluar nga paradigma e menaxhimit, në atë të përmirësimit dhe të avancimit. Pesë klinika janë në renovim të tërësishëm: Klinika e Onkologjisë, Klinika e Gjinekologjisë, Klinika e Urologjisë, Klinika e Kardiokirurgjisë dhe Klinika Emergjente. Kemi funksionalizuar 3 Rezonanca Magnetike (MRI) për më pak se një vit në Spitalin e Pejës, në Klinikën e Pediatrisë dhe në Spitalin e Prizrenit. Deri tash kanë qenë vetëm dy. Po ulim përherë e më shumë listat e pritjes, duke rritur cilësinë dhe sasinë e shërbimeve me ç’rast kemi kaluar gjithashtu ligjin për çmimin e barnave i cili i ulë substancialisht shpenzimet e qytetarëve dhe të institucioneve për blerjen e tyre. Po investojmë në aparatura moderne në të gjitha spitalet dhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës duke ulur numrin e qytetarëve që kërkojnë trajtim jashtë vendit.
Përkushtimi që kemi pasur për sportin e dëshmon programi 12 milionësh “Kosova, Shtet i Xhudos”, puna dhe investimet aktuale në përmirësimin e infrastrukturës së stadiumeve dhe aplikimi i suksesshëm për organizmin historik të Lojërave Mesdhetare 2030, që u kumtua në shtator të vitit që shkoi nga Kreta e Greqisë.
Vëmendjen e munguar më herët, e që tash ia kemi dhënë trashëgimisë, e dëshmon trefishimi i buxhetit vjetor për investime në fushën e trashëgimisë kulturore dhe restaurimi i mbi 100 aseteve të trashëgimisë kulturore. Orientimi ynë për digjitalizim të shërbimeve vërtetohet nga avancimi në Indeksin GTMI të Bankës Botërore, nga Grupi C në Grupin B. Teksa po punojmë për digjitalizim të mëtejmë të shërbimeve, në platformën e-Kosova tashmë ofrohen mbi 150 shërbime digjitale.
Për komunitetet jo shumicë janë ndarë 259 grante për fermerë, start-ups dhe OJQ përmes Fondit 3 milionësh për vitin 2023. Janë zbatuar gjithsej 415 projekte për komunitete. 12.3 milionë euro për 149-të projekte kapitale në komunat me shumicë serbe për vitin 2023. 3 milionë euro për ndërtimin dhe renovimin e shtëpive të komuniteteve joshumicë në komuna. Ka filluar verifikimi i diplomave të Universitetit të Mitrovicës së Veriut. Komunitete joshumicë përbëjnë 17% të subvencioneve për pajisje efiçiente dhe 9% të praktikantëve me pagesë përmes programit Kosovo Generation Unlimited
Investimet të cilat po i bëjmë në infrastrukturë janë të karakterit transformues dhe përbashkues me shtete në rajon. Po, do t’i përfundojmë punët që qeveritë e mëhershme i lanë keq e në gjysmë, si rruga Prishtinë-Podujevë, Prishtinë-Mitrovicë, dhe autostrada Prishtinë-Gjilan. Por, përveç këtyre kemi trasuar udhën edhe për projekte të mëdha të Qeverisë sonë. Kemi nënshkruar marrëveshje me Maqedoninë e Veriut për rrugën Prizren- Tetovë. Kemi paraparë 200 milionë euro investime për rehabilitimin e Linjës Hekurudhore 10. Kemi arritur në fazën e përgatitjes së projektit ideor për ndërtimin e linjës hekurudhore Prishtinë-Durrës dhe gjithashtu, kemi bërë gjithçka nga ana jonë si palë për rrugët që lidhin Pejën me Rozhajën, dhe Deçanin me Plavë, pra në marrëveshje me Malin e Zi.
Shqipërinë në vitin 2023 e kemi partneren tonë kryesore tregtare. Investimet nga Shqipëria në Kosovë ishin 5 herë më shumë në vitin 2022, sesa në vitin 2019. Abetaren e unifikuam, e filluam punën edhe për enciklopedinë shqiptare. Për të thelluar edhe më tej lidhjet, gjithashtu filluam ndërtimin e rrugëve që lidhin fshatrat e Kosovës dhe të Shqipërisë.
Tutje, votimi i mërgatës në ambasada dhe në konsullata të Kosovës u bë realitet si mundësi meqenëse,– ndryshimi i ligjit është miratuar dhe kanë filluar përgatitjet teknike për zbatim kur të vjen koha. Janë angazhuar 35 profesionistëve të rinj nga mërgata në institucione vendore përmes programit për Diplomacinë Qytetare, Citizen Diplomacy Fellowship
E vitin 2024 e kemi filluar si është më së miri në raport me marrëdhëniet me jashtë. Deri më tani, ky vit është vit i pasaportës sonë, i fuqizimit të saj. Tash e tre muaj udhëtojmë lirshëm e pa viza në zonën Shengen, përfshirë këtu edhe Spanjën, që iu bashkua shteteve të Bashkimit Evropian të cilat e njohin pasaportën e Kosovës.
Të dashur qytetarë,
E di që gjatë kësaj kohe kemi kaluar edhe nëpër vështirësi, sfida e telashe të shumta. Në përballje me secilën prej tyre, si Qeveri në mendje kemi pasur interesin më të mirë të vendit, interesin e publikut në Republikë, e në qendër shërbimin ndaj tij dhe ndaj juve. Kosova ka pasur pakon më të madhe mbështetëse në rajonin e Ballkanit për qytetarë në ballafaqim me inflacionin dhe krizën energjetike (si përqindje e Bruto Produktit Vendor sipas Raportit të Bankës Botërore).
Jam i bindur që kemi dalë e do të dalim më të fortë, e më të përgatitur. Mos të harrojmë që jemi sulmuar në veri të vendit para 6 muajsh, dhe ndajmë një kufi të gjatë me terrene të vështira kodrinoro-malore, me një shtet fqinj në veri me regjim autokratik e përherë e më agresiv. Elementet e krimit të organizuar që financohen nga fqinji ynë verior, të shndërruar në paramilitarë terroristë të dielën e 24 shtatorit ikën me vrap malit tatëpjetë duke i lënë shokët e tyre mercenarë të vrarë e të plagosur.
Ne duam që t’iu shërbejmë të gjithë qytetarëve pa dallim, që do të thotë se nuk mund të tolerojmë askënd që shkel ligjin bie ndesh me Kushtetutën dhe synon përfitimin nga krimi.
Qeverisja është betejë e vazhdueshme ndërmjet planeve dhe ngjarjeve, prioriteteve programore dhe urgjencave që duhet të trajtohen. Gjithmonë mund të bëhet më shumë, e shpesh ka gjëra që kanë mundur të bëhen, të jenë edhe më shpejt. Në thelb, është vendosmëria për të ecur përpara e për të shërbyer pavarësisht pengesave, përkundër gjasave e përballë kohës që asnjëherë nuk është e mjaftueshme.
Tash, përpara e kemi edhe këtë vit, nesër hyjmë në vitin e katërt të qeverisjes sonë, për të përfunduar projekte, për të avancuar të tjera, dhe për të fuqizuar themelet e reformave në secilin sektor ku në mendjen tonë është përfituesi qytetari i Republikës.
Ju faleminderit./Arbresh.info/
Edi dhe Xheneta diskutojnë në lavanderi, ndërsa Gjesti i për...
“Serbia nuk luan dot me Kosovën”/ Deputeti gjerman: Bisedime...
“M’u kujtua kjo indiferencë turpshme”, Pacolli p...
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte do të vizitojë...
Driloni-Edit: Nëse e fitoj çmimin, e ndaj me ty
Suhareka dhe Ferizaj kërkojnë të rikthehen te fitoret, forma...