Google ADS

O`Brien: Përdorimi i forcës kundër Kosovës do të ishte i papranueshëm

15:03 | 22 Mars 2024
E.K

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O`Brien, ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë duke i vëzhguar lëvizjet e ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën dhe se Shtetet e Bashkuara ia kanë bërë të ditur Serbisë që përdorimi i forcës do të ishte i papranueshëm.

Në një bashkëbisedim me gazetarët online, O’Brien ka theksuar se një lëvizje eventuale prej forcave të Serbisë do të konsiderohej prej SHBA-së si rrezikim i forcave të NATO-s që janë në Kosovë për t’i mbrojtur shqiptarët dhe serbët.

Sipas tij, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ka thënë se nuk do të ketë përdorim të forcës.

Po ashtu, ai ka thënë se Serbisë i është bërë e qartë që personat e përfshirë në sulmin e 24 shtatorit të vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit duhet të mbahen përgjegjës.

“Sa i përket tensioneve, ne e dimë se e ardhmja për të dyja vendet është në Bashkimit Evropian dhe ekonominë globale. Ne po punojmë me dy qeveritë për të parë se kjo është e mundur. Vuçiqi e di mirë se çfarëdo përdorim i forcës ndaj Kosovës do të ishte i papranueshëm pasi kjo i vë në rrezik ushtarët e NATO-s që janë atje për të mbrojtur popullatën serbe dhe shqiptare. Çështja kyçe këtu është se palët duhet t’i reduktojnë tensionet, edhe ato që ndërlidhen me ushtrimet e ushtrisë përreth kufirit. Duhet përgjegjësi për sulmin e 24 shtatorit dhe presim që kjo të ndodhë shpejtë. Qeveria serbe ka ndërmarrë disa hapa për këtë. Mirëpresim lëvizjen e trupave ushtarake prapa dhe bashkëpunim në hetim. Por këto nuk mjaftojnë”, ka thënë O’Brien.

Ndihmëssekretari amerikan pret nga Qeveria e Kosovës që në ditët në vijim të marrë vendime që janë në përputhje me kërkesat e ndërkombëtarëve.

“SHBA-ja është mbështetëse e fuqishme e Kosovës për përfshirje në organizata ndërkombëtare. Në këtë kontekst, çka shpresojmë të shohim ditëve në vijim është që Qeveria e Prishtinës të marrë vendime që janë në përputhje me kërkesat e partnerëve. Sa i përket vendimit të BQK-së për dinarin, Lajçak ka ardhur me disa ide specifike. Ne shohim se në veri është shumë e vështirë për njerëzit që t’i blejnë gjërat e përditshme. Rregullorja u zbatua në atë mënyrë që e vështirëson jetesën e serbëve. Miqtë e Kosovës po kërkojnë rishikim të zbatimit që i lejon njerëzit të paguajnë për gjërat e përditshme”, ka deklaruar O’Brien.

O’Brien, sikurse më herët emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e ka bërë të qartë se për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës duhet lëvizur përpara me themelimin e Asociacionit.

“Kosovës i duhen vota në procesin për anëtarësim në Këshillin e Evropës që ka disa kushte që duhet përmbushur. Një nga to ka qenë përparimi në zgjidhjen e pronës së Manastirit të Deçanit. Mori shumë kohë por u zbatua. Po ashtu Kosova duhet të lëvizë përpara me themelimin e Asociacionit para se Këshilli i Evropës të vendosë për anëtarësim”, ka deklaruar O’Brien./rtk

Të ngjashme