Google ADS

Maqedonci: Rreziku nga armët e shkatërrimit në masë më i lartë se kurrë

14:02 | 22 Mars 2024
A Z

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, njofton se sot në ambientet e Gardës Kombëtare është shënuar ceremonia e përfundimit të suksesshëm të trajnimit të përbashkët të pjesëtarëve të njësisë Hazmat të FSK-së dhe të njësisë CBRN të Forcave të Maqedonisë së Veriut me Agjencinë për Reduktimin e Kërcënimeve të Mbrojtjes (Defense Threat Reduction Agency, DTRA), U.S. Marines CBIRF dhe Skuadrën e 71-të të Mbështetjes të Gardës Kombëtare të Iowes (71st Civil Support Team).

Maqedonci, në një postim në Facebook, bëri të ditur se gjatë këtij trajnimi që është zhvilluar në Qendrën Ndërkombëtare Trajnuese për Kërkim-Shpëtim në Pomozatin, njësitë e Regjimentit të Mbrojtjes Civile, Kompania e Materieve të Rrezikshme ka shkëmbyer eksperienca me pjesëtarët e Ushtrisë së Maqedonisë së Veriut për kapacitetet, mënyrën e operimit në terren si dhe përdorimin e pajisjeve specialistike.

“Po ashtu gjatë këtij ushtrimi pjesëtarët tanë dhe pjesëtarët e Maqedonisë së Veriut janë testuar në simulime të organizuara nga instruktorët amerikan, simulimet ishin të ndryshme dhe komplekse, duke përfshirë të gjitha fushat atë kimike, biologjike dhe radiologjike. Ky trajnim ishte një mundësi shumë e mirë për pjesëtarët tanë të shkëmbejnë eksperienca të ndryshme, operacione, intervenime reale dhe eksperienca shumëvjeçare nga ana e pjestarëve dhe instruktorëve pjesëmarrës”, shkruan, pos tjerash, ministri Maqedonci, në Facebook.

Në fjalimin e tij drejtuar të pranishmëve në këtë ceremoni, Maqedonci ndër të tjera ka thënë se kërcënimet nga akterët e rinj dhe të vjetër me prirje autokratike dhe me qasje hegjemoniste dhe agresive nuk po e sfidojnë vetëm rendin e ri botëror por dhe rregullat e luftës të përcaktuara në ligjin humanitar ndërkombëtar. Në këtë aspekt rreziku i përdorimit të armëve të shkatërrimit në masë dhe agjentëve kimik dhe biologjik është më i lartë se kurrë.

Ministri Maqedonci foli edhe për ndihmat që SHBA-ja i ka dhuruar FSK-së

“Republika e Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës e në veçanti Garda Kombëtare, ndër vite, përveç eksperiencës së fituar nga trajnimet, nga programi i DTRA i Shteteve të Bashkuara ka pranuar pajisje me vlerë mbi 2 milion dollarë, gjë që i ka mundësuar këtij kapaciteti tonë të jetë ndër kapacitetet me profesionale dhe kompetente që ka Republika e Kosovës”, ka thënë ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme