Google ADS

Dialogu “i vdekur” deri pas zgjedhjeve në BE dhe SHBA

18:14 | 21 Mars 2024
E.H

Si Marrëveshja bazike për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ashtu edhe bisedimet e nivelit të lartë mes dy vendeve, janë “të vdekura”, sipas analistëve Lulzim Peci dhe Dushan Janjiq.

Udhëheqësit e dy vendeve, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq, zhvilluan takime në Bruksel – në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve – për herë të fundit në tetor të vitit të kaluar.

Këtë javë u bë një vit prej se ata u pajtuan për udhërrëfyesin e zbatimit të Marrëveshjes bazike, të arritur në shkurt të vitit 2023.

Përkundër dakordimit, ata shprehin kundërshtime qoftë për mënyrën e zbatimit, qoftë për disa pika të marrëveshjes, e cila, mes tjerash, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, respektim reciprok të sovranitetit dhe tërësisë territoriale, por jo edhe njohje të ndërsjellë.

Nga BE-ja, që ndërmjetëson dialogun, thanë të mërkurën se do të duhet një takim i nivelit të lartë mes udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë për të diskutuar për zbatimin e marrëveshjes, por nuk saktësuan se kur mund të ndodhë një i tillë.

Paraprakisht, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se përkundër mbështetjes së gjerë ndërkombëtare për marrëveshjen, Kosova dhe Serbia “kanë bërë shumë pak përparim”.

Për Lulzim Pecin, nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave, marrëveshja “është e vdekur klinikisht”.

Kjo, siç thotë ai, për shkak të qëndrimeve të kundërta të palëve dhe mungesës së vullnetit të tyre për të ecur përpara me zbatimin e saj.

Për më tepër, shton Peci, palët kanë krijuar situata të tilla që marrëveshjen e nxjerrin si të pavlefshme.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai kujton vendosjen e kryetarëve shqiptarë në zyrat e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, pranverën e kaluar – ngjarje kjo që i ka rritur lart tensionet në atë zonë.

Peci përmend edhe sulmin vdekjeprurës të grupeve të armatosura serbe në Banjskë të Kosovës, më 24 shtator.

Për këtë sulm, Kosova e fajësoi Beogradin zyrtar, por ai e mohoi çdo përgjegjësi.

“Tash jemi në një pikë, e cila, përveçse është nyje, ka mundësi që të përcillet me konflikte sporadike në terren. Këtu qëndron rreziku më i madh në moszbatimin e kësaj marrëveshjeje”, thotë Peci.

Dushan Janjiq, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, u bën jehonë këtyre deklaratave.

“Dialogu ka vdekur” dhe “nuk dihet se si do të përfundojë kjo situatë me nder”, thotë ai.

“Së dyti, Brukseli dhe zyra atje janë shndërruar në kuti postare. Politikanët, negociatorët kryesorë nuk po shkojnë atje, por po i dërgojnë zëvendësuesit e tyre dhe po bëjnë kinse bisedime”, shton ai.

Janjiq, po ashtu, kujton se Bashkimi Evropian është në prag të zgjedhjeve për institucionet e tij dhe thotë se, deri në përfundimin e këtij procesi, roli i tij ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi do të jetë i zbehtë.

Sipas tij, “nuk duhet befasuar” nëse situata aktuale “shndërrohet në konflikt të armatosur”.

“Momentalisht, për fat, e kemi këtë ndërgjegjësim tek amerikanët dhe te NATO-ja, që kjo situatë duhet të shtensionohet. Për këtë i kanë duart tërësisht të lira dhe mendoj se këtë po e bëjnë me sukses”, thotë Janjiq.

Një ditë më herët, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, porositi qytetarët e Kosovës që të mos shqetësohen për sulme të mundshme, pasi misioni i NATO-s në Kosovë, është i gatshëm të bëjë, siç tha, gjënë e duhur.

Hovenier i bëri komentet pasi gazetarët i kërkuan të komentojë një deklaratë të Vuçiqit, të cilën mediat e interpretuan si kërcënim për “pushtimin e mundshëm të Kosovës”.

“Garancitë e sigurisë që SHBA-ja i ka ofruar, mbeten të forta si kurrë më parë”, tha Hovenier.

Kurti, në disa raste, ka përsëritur se Serbia përbën rrezik për Kosovën dhe ka kërkuar integrim më të shpejtë në strukturat evropiane.

Ai, po ashtu, ka thënë se nuk mund të ketë dialog nëse Serbia nuk sanksionohet për sulmin në Banjskë.

Në fund të vitit?

Të dy bashkëbiseduesit e REL-it thonë se një rezultat pozitiv në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, mund të arrihet eventualisht në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm.

Sipas Pecit, duhet të kryhen fillimisht zgjedhjet për institucionet e BE-së, që mbahen në pranverë, dhe zgjedhjet presidenciale në SHBA, që mbahen në nëntor.

“Të shohim se a do të ringjallet dialogu më pas, me përbërjen e re të Komisionit Evropian, por edhe me administratën e re në SHBA, që mund të jetë kjo e tanishmja apo një tjetër”, thotë Peci.

Janjiq thotë, po ashtu, se pas zgjedhjeve në BE dhe emërimit të ndërmjetësuesve të rinj evropianë në dialogun Kosovë-Serbi, mund të ketë përpjekje të reja për ringjalljen e bisedimeve.

Ai thotë se BE-ja, me ndihmën e SHBA-së, do të duhej të organizonte kah fundi i këtij viti një konferencë për Kosovën dhe Serbinë, të formës së konferencës së Dejtonit të vitit 1995, e cila i dha fund luftës në Bosnje e Hercegovinë.

“Aty duhet t’ua diktojnë të gjitha zgjidhjet. As lufta në Bosnje nuk do të përfundonte sikur të pritej që të merreshin vesh [udhëheqësi i serbëve në Republikën Sërpska, Radovan] Karaxhiq dhe [presidenti i parë i Bosnje e Hercegovinës, Alija] Izetbegoviq”. Pra, duhet t’i detyrojnë”, thotë Janjiq.

Megjithatë, Hovenier, në një bashkëbisedim me gazetarët në fund të shkurtit, u shpreh i hutuar nga pyetja nëse ekziston mundësia e organizimit të një konference ndërkombëtare për marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

Kurti nuk e përjashtoi mundësinë që edhe Kosova të shkojë në zgjedhje të parakohshme këtë vit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme