Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u takua të enjten me presidentin egjiptian Abdel Fattah El-Sisi në Kajro, gjatë misionit në Lindjen e Mesme në përpjekje për të arritur një armëpushim në Gazë.
Në një intervistë për një televizion arab, zoti Blinken tha se Shtetet e Bashkuara po bëjnë trysni për një armëpushim të menjëhershëm që do të ishte i lidhur me lirimin e pengjeve, duke shtuar se një marrëveshje për këtë qëllim do të sillte lehtësim të menjëhershëm për palestinezët që po vuajnë në Gazë.
“Mendoj se hendeku po tkurret dhe mendoj se ka shumë gjasa që marrëveshje të arrihet”, tha kryediplomati amerikan.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara kanë hartuar një projekt-rezolutë për ta paraqitur në Kombet e Bashkuara për këtë qëllim.
Bisedimet për armëpushimin rifilluan këtë javë në Katar, me synimin për një pauzë prej 6 javësh në luftime, që do të mundësonte lirimin e 40 pengjeve izraelitë në këmbim të qindra palestinezëve të burgosur.
Megjithatë, problemi kryesor mbetet Hamasi që thotë se do t’i lirojë pengjet vetëm si pjesë e një marrëveshjeje që do t’i jepte fund luftës, ndërsa Izraeli kërkon të diskutojë vetëm për një pauzë të përkohshme.
Një zyrtar amerikan tha se ishte arritur përparim i konsiderueshëm në bisedimet e zotit Blinken me Arabinë Saudite përsa u takon kushteve për një normalizim të ardhshëm marrëdhëniesh me Izraelin dhe se kanë mbetur vetëm disa çështje të pazgjidhura.
Shtëpia e Bardhë i kishte filluar përpjekjet për njohjen e Izraelit nga Riadi në këmbim të garancive të sigurisë për Arabinë Saudite nga Shtetet e Bashkuara që para sulmit të 7 tetorit.
Por tani një marrëveshje e tillë është vendosur në kontekstin më të gjerë rajonal, sipas së cilit Uashingtoni dëshiron një zgjidhje përfundimtare me dy shtete mes Izralit dhe palestinezëve.
Vizita e zotit Blinken në rajon vjen mes tensioneve mes Presidentit Joe Biden dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu mbi planet izraelite për një sulm ushtarak në qytetin jugor të Gazës, Rafah.
Presidenti Biden ka bërë thirrje për anulimin e planeve për një sulm tokësor në Rafah, qyteti në skajin jugor të Gazës, ku strehohet më shumë se gjysma e 2.3 milionë banorëve të enklavës.
Netanjahu e ka hedhur poshtë këtë thirrje.
Të enjten ministri izraelit për çështjet strategjike, Ron Dermer tha në në një intervistë se Izraeli do të marrë kontrollin e Rafahut edhe nëse kjo do të shkaktonte përçarje me Shtetet e Bashkuara, duke thënë se ai është bastioni i fundit i Hamasit.
Dermer është pjesë e një delegacioni të lartë Izraelit që do të vijë në Shtetet e Bashkuara në ditët e ardhshme për bisedime në Shtëpinë e Bardhë, lidhur me planet e Izraelit për ofensivën në Rafah, masat për mbrojtjen e civilëve dhe ndihmat humanitare.
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...