“Për 25 vite nuk u investua në hekurudhat e Kosovës”, Aliu: Po punojmë intensivisht për rehabilitimin e linjave

21:00 | 19 Mars 2024
E.H

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka thënë se është duke u punuar për rehabilitimin e linjave hekurudhore Fushë Kosovë-Klinë-Pejë dhe linjën Klinë-Prizren.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Aliu ka thënë se për 25 vite nuk është investuar në hekurudhat e Kosovës madje sipas tij, ato filluan që të mbuloheshin që të përfitonte dikush privatisht, përcjell Arbresh.info.

“Për pothuajse 25 vite, jo që nuk u investua në hekurudhat e Kosovës, por ato filluan edhe të mbuloheshin, në mënyrë që përreth tyre të përfitonte ndokush privatisht, e jo interesi publik. Tashmë, këtë mendësi e kemi ndryshuar dhe jemi duke punuar intensivisht për rehabilitimin e linjave hekurudhore Fushë Kosovë-Klinë-Pejë me gjatësi prej 81 km, si dhe linjës Klinë-Prizren, me gjatësi prej 58 km”, ka shkruar Aliu.

Në fund, ministri bëri të ditur se për pak ditë, do të shpallet tenderi për dizajnin preliminar i cili përfshin punët ndërtimore, sinjalizimin, telekomunikacionin dhe elektrifikimin./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme