Portieri i mirënjohur heq dorë nga futbolli kosovar, për një jetë më të mirë jashtë Kosovës

16:54 | 19 Mars 2024
D.H

Arben Beqiri ka qenë shembull brenda dhe jashtë fushës gjatë karrierës së tij të gjatë.

Aq i fortë dhe i vendosur që ishte, sa që e kishte hequr qafe edhe sëmundjen e rëndë të kancerit.

Por, portieri mitrovicas po e ndërpret këtu rrugëtimin e tij të futbollistit aktiv pasi nuk po sheh perspektivë në futbollin e këtushëm.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, 35 vjeçari e ka konfirmuar vendimin e dhimbshëm për t’i var dorëzat në gozhdë dhe për ta vazhduar jetën në Gjermani.

“Faleminderit KF Trepça, faleminderit kryesisë së klubit, faleminderit trajnerëve: Emin Baliqi, Shpëtim Fetahu, Enis Manxholli, Nexhat Zhubi. Faleminderit të gjithë bashkëlojtarëve për respektin e treguar ndaj meje. U jam mirënjohës gjithë jetën. Të gjithë së bashku për Trepçën.”

Edhe klubi mitrovicas e ka falënderuar atë për kontributin dhe i ka uruar çdo të mirë në jetë.

Ish-futbollisti i Trepçës ’89, Llapit, Besës, Vushtrrisë, Ulpianës e Trepçës, e kishte fituar dy herë Kupën e Kosovës, me 89-shin dhe me Besën.

Pas luftës, fatkeqësisht ishin të shumtë futbollistët që hoqën dorë nga pasioni i tyre për ta kërkuar një jetë më të mirë.

 

Të ngjashme