Pite tigani me miell misri – të lehta, të shpejta plot shije

22:34 | 17 Mars 2024
R J

Pitet janë një ushqim i shijshëm të cilit nuk mund t’i thuash jo as në mëngjes e shpesh as në darkë.

Ato shoqërohen me të ëmbla dhe me të kripura, me fruta, djathë apo perime.

Zakonisht jemi mësuar që pitet t’i gatuajmë me miell gruri por shija e piteve me miell misri është diçka krejt e veçantë, e thjeshtë dhe e lehtë.

Pitet e gatuara me miell misri janë të lehta, të  buta si pambuk dhe me një shije të një dimensioni tjetër.

Shija e piteve mund të plotësohet me produkte të kripura por edhe të ëmbla gjithashtu siç janë reçelrat e ndryshëm, çokokremi etj.

Përpos të gjithave, këto pite janë pa gluten dhe të rekomanduara për ata që kanë pak ose aspak tolerancë ndaj tij.

Pitet e Shtëpisë me Miell Misri

Përbërësit

  • 1 filxhan e gjysmë çaji me miell misri
  • 1 lugë kafeje me sodë buke
  • Gjysëm luge çaji me kripë
  • 2 vezë
  • 1 gotë (250 ml) me qumësht
  • 4 lugë gjelle me gjalpë pa kripë

Përgatitja

Në fillim, AgroWeb.org ju udhëzon të merrni një enë të përmasave mesatare dhe hidhni në të miellin e misrit, sodën e bukës dhe kripën.

Shtoni qumështin, vezët, gjalpin e freskët.

Rrihini të gjithë përbërësit deri sa të përfitoni një masë kremoze as shumë e hollë as shumë e trashë. Brumi duhet të jetë nue trashësinë e brumit të krepave.

Nëse kjo masë është e hollë, shtoni edhe pak miell misri deri sa ajo të arrijë trashësinë e duhur.

Nëse masa është shumë e trashë, shtoni edhe pak qumësht.

Më pas vendoseni tiganin në zjarr dhe hidhni pak gjalpë të freskët ose vaj sa të lyhet e gjithë sipërfaqja e tiganit.

Mbushni një gjysëm garuzhde me masën kremoze dhe hidheni në tigan.

Lëreni të gatuhet për 1 deri në 2 minuta ose deri sa pjesa fundore të ketë marrë ngjyrë kafe.

Rrotullojeni nga ana tjetër dhe lëreni edhe atë të gatuhet plotësisht.

Pitet me miell misri mund t’i shoqëroni me djathë të bardhë a kaçkavall, gjizë por edhe me produkte të tjera sipas preferencës.

Të ngjashme