Google ADS

Rusët në Serbi dhe në Mal të Zi votojnë në zgjedhjet presidenciale ruse

11:18 | 17 Mars 2024
E.H

Qytetarët e Rusisë që jetojnë në Serbi dhe në Mal të Zi do të votojnë në zgjedhjet presidenciale ruse të dielën në ditën e fundit të tyre.

Ata kanë mundësi të votojnë për njërin prej katër kandidatëve në fletëvotim, ndër ta edhe presidentin e tanishëm Vladimir Putin, i cili fitoren e ka pothuajse e sigurt, meqë kundërshtarët e tij janë në burgje, në mërgim apo të vdekur.

Zgjedhjet në Rusi kontrollohen fuqishëm nga Kremlini dhe nuk janë as të lira e as të drejta.

Qytetarët rusë në Serbi do të votojnë në shkollën e Ambasadës ruse në Beograd.

Organizata joqeveritare Shoqëria Demokratike Ruse, e udhëhequr nga qytetarë rusë në Serbi, njoftoi se do t’i bashkohet aksionit global “Mesdita kundër Putinit”, për ta nderuar amanetin e fundit të Alexei Navalny, kritikut më të zëshëm të Kremlinit, i cili vdiq më 16 shkurt në një burg të izoluar të Arktikut nën rrethana të dyshimta.

“Qytetarët e Rusisë që kundërshtojnë diktaturën e Vladimir Putinit dhe synojnë të votojnë kundër tij do të dalin në qendrat e votimit në mesditë të 17 marsit për të demonstruar publikisht numrin e tyre, pavarësisht falsifikimit dhe propagandës zgjedhore”, tha Shoqëria Demokratike Ruse.

Në Mal të Zi, votimi për zgjedhjet presidenciale ruse u organizua në ndërtesën e Ambasadës së Federatës Ruse në Podgoricë.

Qendra e votimit do të jetë e hapur nga ora 08:00 deri në 20:00 të dielën.

“Për të votuar duhet ta vizitoni personalisht qendrën e votimit dhe të tregoni një pasaportë të vlefshme”, tha Ambasada ruse në uebsajtin e vet.

Ambasada deklaroi në rrjetin Telegram se masat e sigurisë dhe kontrollit do të forcohen ditën e votimit për të mbrojtur sigurinë e votuesve dhe anëtarëve të komisionit zgjedhor.

Në faqen e internetit dhe rrjetet sociale të Ambasadës nuk ka asnjë të dhënë për numrin e qytetarëve rusë që kanë të drejtë vote në Podgoricë.

Rreth 27.000 rusë banojnë zyrtarisht në Mal të Zi.

Në fund të janarit, aktivistë rusë në Mal të Zi organizuan mbledhjen e nënshkrimeve për kandidaturën e politikanit opozitar rus, Boris Nadezhdin, për zgjedhjet presidenciale.

Megjithatë, Nadezhdin – një politikan 60-vjeçar me qëndrime kundër luftës – nuk u lejua të garojë nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Rusisë muajin e kaluar, për shkak të, siç tha, nënshkrimeve të pavlefshme të përkrahësve në aplikacionin e tij për t’u regjistruar si kandidat presidencial.

Ai u ankua, por vendimi i komisionit u mbajt në fuqi nga Gjykata Supreme e Rusisë./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme