Vuçiqi flet për një luftë të tretë botërore nëse Perëndimi hyn në “konflikt të plotë” me Rusinë

09:43 | 16 Mars 2024
K.B

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha të premten se bota po përballet me dy skenarë të mundshëm: një luftë të tretë botërore ose një armëpushim afatgjatë në Ukrainë.

Ai tha se ShBA-ja dhe Kina mund të ndikojnë që të arrihet kjo e fundit.

“Një skenar është nëse Perëndimi do të shkojë në drejtim të një konflikti të plotë me Rusinë, pasi nuk është krejtësisht e lehtë të ndalosh ushtrinë ruse në terren”, tha Vuçiqi në një konferencë shtypi në Beograd me Presidentin e shtetit të Bavarisë, Markus Soder. “Dhe e dyta është se me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës, do të vendosej një lloj armëpushimi afatgjatë, në mos paqe e përhershme, që do të nënkuptonte një lehtësim të madh për botën”, raporton AA.

Ai shtoi se nëse shkon në drejtim të konfliktit, askush nuk do të fitonte asgjë.

Soder ndërkaq tha se është shumë e rëndësishme që Serbia të bëhet anëtare e BE dhe vendi do ta ketë mbështetjen e Bavarisë.

“Ne jemi duke avokuar fuqimisht që Serbia të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Do të ishte një turp i madh për Evropën, por mendoj edhe për Serbinë, nëse nuk shkoni në atë rrugë”, tha Soder.

Ai tha se është e rëndësishme që Serbia, “si shteti më i fortë në Ballkan, me traditë evropiane, të jetë një partner i fortë dhe i mirë”.

Soder tha se Bavaria do të hapë një zyrë përfaqësuese në Beograd, e cila do të jetë përgjegjëse për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik, shkencor dhe teknik.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme