Google ADS

Si do bëhet kthimi i parave tek qytetarët, të cilëve për pesë vjet u është faturuar rryma e serbëve në veri?

08:59 | 16 Mars 2024
K.B

Mbi 40 milionë euro, është shuma që do tu kthehen qytetarëve, të cilët e kanë paguar rrymë për serbë në veri të Kosovës, bazuar në një vendim që ishte marrë nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në vitin 2012 , i cili sipas Gjykatës Kushtetuese, ka shkelur disa ligje.

Sipas vendimit të ZRRE-së, i cili u cilësua si jo i ligjshëm nga Kushtetuesja, qytetarët ua paguan rrymën konsumatorëve në veri të Kosovës nga viti 2012 deri më 2017.

Për vendimin e Kushtetueses, kanë heshtur ZRRE dhe KEDS.

Arbresh.info ka tentuar të marrë përgjigje nga këto institucione lidhur me vendimin e Kushtetueses dhe si do bëhet shlyerja e borxhit prej 40 milionë euro ndaj qytetarëve të Kosovës.

Madje, ZRRE dhe KEDS-ia kanë hedhur “topin” njëra-tjetrës duke mos dhënë asnjë përgjigje.

Por, njohës të fushës së drejtësisë dhe ekonomisë, pohojnë se mënyra më e mirë e kthimit të këtyre mjeteve tek qytetarët e dëmtuar, do ishte përmes uljes së faturave, apo edhe përmes lëshimit të mjeteve në xhirollogaritë se secilit qytetarë, aq sa është prekur nga vendimi i ZRRE-së.

Kthimi të bëhet përmes uljes së faturave ose direkt në xhirollogari të qytetarëve

Njohësi i çështjeve të drejtësisë, Nehat Idrizi në një prononcim për Arbresh.info ka potencuar se mënyra më e mirë për kompensimin e qytetarëve, është nëpërmjet uljes së faturave.

“Mënyra më e realizueshme është përmes uljes së faturave”, ka thënë shkurt Idrizi.

Ndërsa, njohësi i ekonomisë, Milazim Abazi mendon se fillimisht duhet të bëhet një regjistër i qytetarëve që kanë paguar rrymën për serbët nëpërmjet faturave të energjisë elektrike.

“Unë mendoj se për të realizuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese duhet së pari të bëhet një regjistër i të gjithë atyre qytetarëve të Kosovës të cilët nëpërmes pagesës së faturave të energjisë çdo muaj kanë paguar edhe për serbët që nuk kanë paguar. Pra, të konstatohet secili qytetarë, sa ka paguar për serbët”, pohon Abazi.

Sipas tij, ka dy mënyra sesi mund të bëhet kompensimi i qytetarëve, përmes xhirollogarisë dhe uljes së faturave.

“Kur kjo të konstatohet atëherë ekzistojnë dy mënyra që këto para tu kthehen qytetareve; a) nëpërmes kthimit në xhirollogari bankare të gjithsecilit dhe nëpërmes zbritjes së faturës së energjisë në muajt në vazhdim për shumën e paguar për serbet nga viti 2012-2017”, shprehet ai.

Institucioni i Avokatit të Popullit gjatë vitit 2017, ka ngritur padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër vendimit të ZRRE-së, që rrymën në veri ta paguajnë qytetarë të zonave të tjera.

Kjo gjykatë në vitin 2021 ka detyruar ZRRE-në që ta obligojë KEDS-in për kthimin e mbi 40 milionë eurove për qytetarët e Kosovës, vendim ku që është konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit, edhe Gjykata Supreme.

Por, vendimin e Gjykatës Themelore ZRrE-ja e ka kundërshtuar duke e konsideruar si të padrejtë dhe i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Kjo e fundit me 11 mars 2024 ka marrë vendimin përfundimtar që pagesat duhet t’u kompensohen qytetarëve që kanë shlyer obligimet e veriut.

Serbët e veriut refuzonin pagesën e rrymës, qytetarëve të Kosovës u faturoheshin shpenzimet e tyre

Banorët me shumicë serbe në veri të Kosovës që nga paslufta në viti 1999 nuk kanë pranuar të paguajnë energjinë elektrike të shpenzuar.

Rrymën e shpenzuar nga banorët në veri e kanë paguar qytetarët e pjesëve të tjera të shtetit, të cilët deri në vitin 2017 kanë marr fatura me rritje.

Ndërsa që pas vitit 2017, përgjegjësia për pagesën ka kaluar tek Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut i Kosovës, KOSTT dhe Qeveria e Kosovës.

Rreth dy vite më parë, Kosova dhe Serbia janë dakorduar që të fillojnë së zbatuari marrëveshjen për energjinë elektrike, të dakorduar në vitin 2013.

Në praktik, kompania serbe Elektroserver muaj më parë ka nisur së faturuari energjinë e shpenzuar nga konsumatorët në veri./Arbresh.info/Ejona Hyseni/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme