Lehtësohet identifikimi dhe regjistrimi i kafshëve, MBPZHR jep detajet

09:51 | 15 Mars 2024
K.B

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural përmes Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës këtë vit regjistrimin e kafshëve të fermerëve në gjithë territorin e Kosovës do ta bëj nëpër ferma, nga veterinari i cili do të kontraktohet nga AUV-ja.

Përmes një komunikate për media, thuhet se e  gjithë kjo do të bëhet bazuar në Udhëzimin e ri Administrativ MBPZHR NR.01/2024 për Përcaktimin e Rregullave të Identifikimit, Regjistrimit të Kafshëve dhe Objekteve për Mbarështimin dhe Mbajtjen tyre, ku në këtë mënyrë po mundësohet gjurmueshmëria, ri-regjistrimi i tërësishëm i fondit blegtoral, si dhe krijohet mundësia që të menaxhohet në mënyrë transparente çështja e matrikulave e nga ana tjetër eliminohen abuzimet me numrat e matrikulave tek kafshët.

“Bazuar në këtë UA, fermerëve do t’iu mundësohet që në fermat e tyre veterinari i autorizuar t’i pajisë me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, duke përfshirë këtu shpërndarjen e numrit të regjistrimit për identifikimin e lopëve, deleve, dhive, derrave, buallicave e kafshëve tjera. Pajisja me këto dokumentacione është edhe njëra nga standardet qe kërkohet për shëndetin e kafshëve, identifikimin e tyre dhe sigurinë ushqimore”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie, shkruan Arbresh.info

Për të realizuar këtë proces, AUV-ja do t’i kontraktojë ambulantat veterinare dhe do t’i furnizojë ato me numra identifikimi dhe regjistrimi, duke i mbuluar kështu të gjitha shpenzimet për pajisjen e kafshëve nëpër ferma me numra të regjistrimit, pa asnjë shpenzim për fermerët.

“Numrat për identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve (matrikull) do të jenë me specifika të veçanta, ku identifikohet përmes barkodit, shenjën RKS me numër që specifikon llojin e kafshës dhe regjionit ku e zhvillon aktivitetin bujqësor fermeri dhe (2+6) numra unik rendor. Përmes kësaj forme ndihmohet dhe lehtësohet gjurmimi i lëvizjes së kafshëve në gjithë territorin e Kosovës”, thuhet tutje në kumtesë.

Gjithashtu, numri do të jetë me standarde të BE-së dhe me A test, që do të jetë me ngjyrë të verdhë dhe vendoset në dy veshët e një kafshe me të njëjtin barkod dhe specifikat tjera identifikuese.

Për fillimin e procesit të identifikimit të kafshëve, MBPZhR – AUV do t’i njoftoj me kohë të gjithë fermerët përmes faqeve zyrtare të institucionit./Arbresh.info/

Të ngjashme