Escobar: Po punoj për një zgjidhje urgjente për rregulloren e BQK-së

16:00 | 14 Mars 2024
E.G

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se është duke punuar që të gjejë një zgjidhje urgjente me autoritetet e Kosovës sa i përket rregullores së re të BQK-së.

Këto komente Escobar i ka bërë në një intervistë për radion Gorazhdevc në gjuhën serbe, pas takimit me përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave nga Gorazhdeci në Pejë, rreth ndikimit të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës tek popullata lokale.

“Këtu ka një komunitet që po vuan vërtet. Ka njerëz që po përballen me probleme reale për shkak të pamundësisë për të marrë pensionet. Kështu që me të vërtetë dua të punoj me qeverinë e Kosovës, me shpresën se do të gjejmë një zgjidhje urgjente”, tha Eskobar.

Gjatë vizitës së tij në komunën e Pejës, Escobar ka biseduar edhe me të rinj nga komuniteti shqiptar, serb dhe boshnjak, derisa në fund të vizitës së tij u takua edhe me kryetarin e komunës, Gezmend Muhaxheri.

“Kam dashur të vij në këtë qytet, të dëgjoj rrëfimet e njerëzve nga afër se si ndikon tek ata rregullorja e BQK-së. Është e vështirë të dëgjosh këto histori dhe të qëndrosh indiferent”, tha Eskobar.

Ai tutje ka theksuar se duhet punuar ende shumë për zbatimin e marrëveshjes historike për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ndërkohë, në një afat më të gjatë kohor, ende duhet të punojmë intensivisht në zbatimin e marrëveshjes historike të normalizimit, të cilën e arritëm në mars të vitit të kaluar. Kështu që ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë drejtim”, tha Escobar.

Ai tha se të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë e kanë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Mendoj se të gjithë njerëzit në Kosovë mund të llogarisin në mbështetjen amerikane, si shqiptarët, serbët, boshnjakët e të gjithë ata që jetojnë në këtë vend. Shpresoj se ata mund të ndjejnë mbështetjen amerikane dhe partneritetin amerikan”, shtoi Escobar.

Të ngjashme