Google ADS

Inzaghi: Ne e kishim kualifikimin në dorë, kjo humbje dhemb

09:27 | 14 Mars 2024
D.H

Inter është eliminuar nga Champions League natën e mbrëmshme pas ekzekutimit të penalltive.

Pas ndeshjes trajneri i Interit, Simone Inzaghi tha se zhgënjimi është shumë i madh për klubin dhe për të gjithë tek Interi.

“Ka zhgënjim për klubin dhe gjithë familjen e Interit, por u thashë djemve se duhet të jenë krenarë për udhëtimin që kanë qenë”, ka thënë fillimisht Inzaghi për Amazon Prime Video Italia.

Tutje ai theksoi se Interi duhet të bënte më mirë në momente të caktuara.

“Ne ishim të pamposhtur në tetë ndeshje, atëherë padyshim që duhet të kishim bërë më mirë në momente të caktuara. E kishim ndeshjen në dorë, bëmë shumë gabime dhe kjo bëri diferencën. Mund të kishim bërë më shumë në ndeshjen e parë, por këtu duhet të kishim mbajtur epërsinë që na dha Dimarco për më gjatë, përkundrazi i lejuam ata të ktheheshin menjëherë në lojë. Kjo i ngriti ata dhe tifozërinë”, shtoi Inzaghi.

Trajneri Italian pranoi se Interi e pati kualifikimin në dorë.

“Kjo skuadër nuk ishte mësuar të humbiste. Humbja duhet të lëndojë, ne e kishim kualifikimin në dorë. Megjithatë jam super krenar që jam trajner i kësaj skuadre. Është zhgënjyese për të gjithë ne, por ka 10 ndeshje përpara në Serie A dhe ne duam të arrijmë një objektiv shumë të rëndësishëm”, potencoi italiani.

Por në fund Inzaghi se ndeshja duhej të mbyllej pasi që Interi pati shumë raste në pjesën teksa pati disa fjalë edhe për penalltitë.

“Djemtë duhet të mbajnë kokën lart, duke e ditur se detajet bëjnë diferencën në këtë nivel. Duhet ta mbyllnim ndeshjen, i patëm rastet në pjesën e dytë. Pas kësaj, penalltitë janë short dhe ata dolën më mirë”, përfundoi trajneri i Interit.

Kujtojmë që Interi ishte skuadra e fundit nga Italia në garën e Champions League dhe u eliminua, tani më asnjë skuadër nga Serie A nuk do të jetë në çerekfinale./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme