Shtetet e Bashkuara do t’i ofrojnë Ukrainës ndihma të reja ushtarake me vlerë prej 300 milionë dollarësh. Kjo është ndihma e parë amerikane që është njoftuar që nga muaji dhjetor. Sipas zyrtarëve të mbrojtjes ndihmat e reja, që ata i quajnë “ad hoc”, u mundësuan nga ulja e kostove të kontratave të prokurimeve të ushtrisë amerikane.
Këshilltari i sigurisë kombëtare Jake Sullivan njoftoi të martën se kjo është hera e 55-të që Shtëpia e Bardhë po ushtron autoritetin presidencial për të tërhequr nga rezervat e armatimit të Shteteve të Bashkuara. Ai tha se në dërgesat e reja do të ketë edhe predha artilerie dhe municione për sistemet HIMARS, një sistem modern i lëvizshëm raketash që është tepër i nevojshëm në frontin ukrainas.
“Këto furnizime do sigurojnë funksionimin e armëve ukrainase, por vetëm për një periudhë të shkurtër”, tha zoti Sullivan.
Sekretari i shtypit i Pentagonit, gjeneral major Pat Ryder shtoi se ndër dërgesat do të ketë edhe raketa kundërajrore Stinger, si dhe sisteme kundër mjeteve të blinduara. Ai tha se ndër predhat e artilerisë do të ketë municione thërrmuese me përdorim të dyfishtë të kalibrit 155 mm, për të cilat zyrtarët i thanë Zërit të Amerikës se nuk përdoren më nga ushtria amerikane.
Fondet për këto ndihma të reja u siguruan nga ulja e kostove të “kontratave të shumta gjatë një periudhe disa mujore”, kur ushtria amerikane arriti “të blejë materiale me çmim më të mirë” se ç’ishte planifikuar fillimisht në buxhet, thanë zyrtarë të lartë të mbrojtjes që biseduan me gazetarët me kusht ruajtjen e anonimitetit.
“Është një lloj përpjekjeje që nuk mund të përsëritet. Nuk dimë se kur mund të arrihen kursime të mëtejshme dhe kjo sigurisht që nuk është mënyra për t’i arritur gjërat”, tha një zyrtar i lartë i mbrojtjes.
Sipas një shembulli të dhënë nga zyrtarët, ushtria pati vlerësuar fillimisht koston e një predhe 22 mm në vlerën 123 dollarë, por arriti të negociojë për ta ulur çmimin në 93 dollarë.
Fondet e kursyera u vendosën në vazhdim në shportën e caktuar për ndihmat për Ukrainën, një proces që ka ndodhur disa herë, por që nuk është reklamuar pasi në atë kohë buxheti për Ukrainën konsiderohej funksional, thanë zyrtarët e mbrojtjes.
Mungesat prej 10 miliardë dollarësh
Ndihmat e reja u njoftuan megjithëse Pentagoni ka thënë se i mungojnë rreth 10 miliardë dollarë armatime për të zëvendësuar rezervat amerikane që u dërguan në Ukrainë.
“Nuk parashikojmë ndonjë lloj alternative tjetër, përveçse një pakete të miratuar buxhetore”, u tha gazetarëve të hënën zëvendës sekretarja e mbrotjejes Kathleen Hicks.
Zyrtarët e Pentagonit prisnin që ky fond të jepej si pjesë e buxhetit shtesë të kërkuar nga administrata e presidentit Biden, ku përfshiheshin miliarda dollarë ndihma shtesë për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin. Kongresi nuk e ka miratuar ende një shtesë të tillë, për shkak të mosmarrëveshjeve për shpenzimet qeveritare dhe për sigurinë e kufijve të Shteteve të Bashkuara.
Për shkak se kanë kaluar rreth 15 muaj që nga hera e fundit kur Kongresi miratoi fonde për të ndihmuar Ukrainën, zyrtarët e mbrojtjes thonë se Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin ka shprehur shqetësimin për dërgesat për të ardhmen.
Departamenti i Mbrojtjes është i autorizuar nga Kongresi të dërgojë edhe 4 miliardë dollarë armatime të tjera për Ukrainën, por Kongresi nuk ka miratuar fondet për të riplotësuar rezervat amerikane të armatimit.
“Mundemi të zhvendosim fonde, por në pamundësi për t’i riplotësuar ato, po vendosim veten në një lloj rreziku”, tha një zyrtar i lartë i mbrojtjes.
Zëri i Amerikës shtroi pyetjen se përse Pentagoni është i gatshëm të ulë kostot për t’i dërguar ndihma të mëtejshme Ukrainës, por nuk është i gatshëm të tërheqë nga 4 miliardë dollarët e mbetur në kuadrin e autorizimit presidencial. Një nga zyrtarët e lartë të mbrojtjes u përgjigj se “mungesa e qartësisë” nga Kongresi, nëse do të miratojnë apo jo ndihma të mëtejshme, e ka detyruar Pentagonin “të ngurojë së tepërmi që të tërheqë më shumë” nga rezervat kombëtare.
Rohde me porosi si Hovenieri: Mos e fyeni klubin ku doni të ...
Memli Krasniqi e feston 28 Nëntorin me djalin e Hashim Thaçi...
Chelsea vazhdon serinë e fitoreve në Conference League
Besiktasi i Rashicës mposhtet nga Maccabi në Ligën e Evropës
“Xhamadani vija-vija o ësht Kosova ësht Shqipria”, Edi Rama ...
Bilbao fiton bindshëm ndaj skuadrës së vëllezërve Zeneli