Eksperti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave për Ballkanin, Marko Prelec tha se zbatimi nga Qeveria e Kosovës i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit është lajm i mirë, sepse i hap rrugën Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe i heq vendit siç e quajti ai, “një njollë të madhe” në reputacionin ndërkombëtar.
“Ky është lajm i mirë, por jo për t’u befasuar sepse u bë shumë e qartë që ishte një kusht i vendosur në mënyrë që Kosova të mund të aplikonte për anëtarësim në Këshillin e Evropës, diçka që ne, Grupi Ndërkombëtar i Krizave e kemi kërkuar prej kohësh. Mendojmë se është një gjë shumë e mirë për Kosovën që të jetë anëtare e Këshillit dhe të jetë nën juridiksionin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ne kemi bërë thirrje që Serbia ta mbështesë këtë përpjekje, gjë që ata refuzuan ta bëjnë”, deklaroi ai.
Zoti Prelec tha se ishte e vështirë të kuptohej se si një vend i përkushtuar ndaj rendit të ligjit, kishte injoruar vendimin e Gjykatës së vetë Kushtetuese për tetë vjet.
Megjithatë ai tha: “Është shkurajuese që Qeveria e Kosovësmegjithëse mori vendim për zbatimin e tij, vlerësoi se ishte e nevojshme ta kritikonte sërish vendimin. Por të paktën po fillon zbatimi dhe ky është një lajm shumë i mirë.”
Zoti Prelec thotë se në aspektin e marrëdhënieve ndëretnike vendimi për zbatimin është “një hap që ndihmon dhe në planin afatgjatë. Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të jetë shumë i dobishëm për tërë Kosovën, por në veçanti për serbët e Kosovës pasi u siguron një institucion tjetër të cilit mund t’i drejtohen nëse dhe kurdo që ndihen se të drejtat e tyre nuk po respektohen plotësisht nga sistemi i drejtësisë.”
Lidhur me tensionet në terren, ai thotë se “gjërat kanë shkuar shumë më larg dhe do të nevojiten më shumë veprime nga të gjitha palët për t’i qetësuar ato.”/voa/
Rritet çmimi i gazit dhe elektricitetit në Britani/ Inflacio...
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë pa...
Riker: Mbyllni procesin e dialogut dhe zgjidhni problemet
Përhapja e fenomenit të bullizmit në shkolla
Një i lënduar në aksidentin që ndodhi në pjesën e autostradë...
Policia del me njoftim për aksidentet e ndodhura për shkak t...