Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Supreme, lidhur me faturimin e energjisë së shpenzuar në veri, në faturat e qytetarëve të tjerë.
Kësisoj, ky vendim e obligon Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) që t’i kompensojë qytetarët me 40 milionë e 885 mijë euro, pasi ata ishin faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat në veri të Kosovës.
Padinë në këtë rast e kishte paraqitur Avokati i Popullit, i cili kishte kërkuar anulimin e vendimit të 6 shkurtit të vitit 2012 të ZRRE-së “për reduktimin e humbjeve të shpërndarjes së energjisë elektrike” si dhe kompensimin e dëmit konsumatorëve të cilët janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës.
Të gjitha shkallët e gjyqësorit kanë vendosur pro padisë së Avokatit të Popullit.
Ndërkohë, të hënën Gjykata Kushtetuese e ka publikuar aktgjykimin lidhur me këtë rast të parashtruar nga ZRRE-ja. Kjo e fundit kishte kërkuar që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të 9 marsit 2023 të Gjykatës Supreme.
“Gjykata, njëzëri, konstatoi që: (i) kërkesa është e pranueshme; dhe (ii) Aktgjykimi [Arj.nr.116/2022] i 9 marsit 2023 i Gjykatës Supreme, nuk është në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces te rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Kushtetueses.
Në njoftimin e Kushtetueses theksohet se sipas gjykatave të rregullta, në esencë dhe ndër tjerash, pavarësisht që Zyra për Rregullatorin për Energji ka kompetencën lidhur me trajtimin e parametrave rregullative dhe faturimin e kostos së rrymës së humbur në sistemin e transmisionit dhe shpërndarjes, të faturuarit e humbjeve të shkaktuara në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës tek konsumatorët tjerë të Republikës së Kosovës, kishte rezultuar në trajtim të pabarabartë të qytetarëve, në kundërshtim me përcaktimet e nenit 55 “Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore” të Kushtetutës dhe Ligjit për mbrojtjen nga diskriminimi, sepse thuhet se nuk ka pasur qëllim legjitim dhe proporcionalitet ndërmjet mjeteve të përdorura dhe qëllimit të synuar./rtk/
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...