Vuajtja e dënimit me burg për veprimtari politike është veçanërisht e vështirë për gratë, thotë krijuesja e grupit Pussy Riots, Nadya Tolokonnikova, e cila ishte e burgosur për 16 muaj. Diaspora ruse në qytetin e Los Anxhelosit është mbledhur për të shprehur përkrahjen për të burgosurat politike në vendlindjen e tyre përmes letrave që po i shkruajnë për to.
Nadya Tolokonnikova themeloi grupin feminist “Pussy Riot”. Ajo kaloi 16 muaj në burg për shkak të organizimit të një proteste në vitin 2012 që vinte në shënjestër mungesën e tolerancës fetare në Rusi dhe lidhjet e afërta të Presidentit Vladimir Putin me Kishën Ortodokse.
Ndërsa po vuante dënimin, ajo filloi një grevë urie në shenjë proteste për kushtet e vështira në burg.
Gjatë një bisede me Zërin e Amerikës në Los Anxhelos, ajo tha se të burgosurave politike u duhet të ballafaqohen me diskriminim me bazë gjinore.
“Urrejtja e zakonshme e propagandës ruse ndaj çfarëdo kundërshtimi dyfishohet kur bëhet fjalë për gratë. Në rastin tonë, deshën të na turpëronin, na u tha se ishim nëna të këqija. Bëhej fjalë për një taktikë tipike keqtrajtimi. Nuk ishte faji ynë që na larguan nga fëmijët tanë, por ata donin të na turpëronin që nuk po rrisnim fëmijët tanë, por ishim në burg”, thotë Nadya Tolokonnikova, krijuesja e “Pussy Riot”.
Aktivistet e diasporës ruse në Los Anxhelos mbajtën një tubim ku shkruan letra për të burgosurat politike në vendlindjen e tyre. Në mesin e tyre është Ksenia Karelina. Ajo u arrestua në Rusi ndërkohë që po vizitonte familjen nën dyshimin për tradhti me pretendimin se ka bërë një donacion për një organizatë bamirësie që dërgon ndihma në Ukrainë. Tani ajo përballet me një dënim prej 20 vitesh në burg.
Njëri nga ata që po shkruan letra është aktivisti Misha Suvorov, i cili thotë se po mendon për familjen e tij.
“Mund të ishte vajza ime, e cila mund të kthehej në vendlindje, për të ripërtërirë lidhjet me vendin, me të dashurit dhe për të takuar anëtarët e rinj të familjes dhe të rrëmbehej në kufi e të hidhej në burg nga ca dhunues për shkak të postimeve të saj në rrjetet sociale”, thotë ai.
Aktivistja Anastasia Kornienko tregon fotografinë e të burgosurës Victoria Goncharova, e cila po vuan një dënim prej gjashtë vitesh e gjysmë. Ajo akuzohet për postime në rrjete sociale të simboleve të grupeve ukrainase të djathta ekstreme dhe promovimit të ekstremizmit.
“Janë plotësisht të izoluara nga bota. Ato mendojnë se drejtësia po i dënon dhe mendojnë se kanë bërë diçka të keqe. Por kur i marrin letrat dhe dikush u thotë, “jo, qëndro, nuk ke bërë asgjë të keqq, vetëm se ishe shumë e guximshme’, atëherë ato e dinë që nuk janë braktisur. Autoritetet ruse nuk mund t’i izolojnë ato nga e tërë bota”, thotë ajo.
Sipas aktivistes Kornienko numri i të burgosurave politike në listën e tyre për t’iu shkruar letra është rritur nga 63 në 86 vetëm gjatë muajit të fundit për shkak të goditjeve të qeverisë ruse./voa
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...