Teherani ka dënuar fuqishëm një raport të Kombeve të Bashkuara lidhur me përgjigjen e Republikës Islamike ndaj protestave masive më 2022, duke denoncuar “iranofobinë” e shteteve perëndimore.
Raporti u ndërtua “mbi pretendime të pabaza” dhe “informacion të rrem dhe të njëanshëm, pa bazë ligjore”, tha përmes një deklarate zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Nasser Kanani.
Ekspertët ndërkombëtarë thanë se shtypja e protestave, kryesisht paqësore, që nisën në shtator të vitit 2022 dhe “diskriminimi i institucionalizuar” ndaj grave dhe vajzave çoi në “krime kundër njerëzimit”.
Këshilli për të Drejtat i Njeriut i OKB-së dha mandatin për hetimin e ekspertëve. Në këtë proces, autoritetet iraniane refuzuan të merrnin pjesë. Raporti u përpilua lidhur me protestat që tronditën Republikën Islamike pas vdekjes në paraburgim të Mahsa Amini, 22-vjeçare.
Amini ishte arrestuar nga “policia e moralit” në Teheran nën pretendimet se kishte shkelur kodin strik të veshjes për gratë në Iran.
Në raportin e ekspertëve të OKB-së u gjet se Qeveria iraniane ishte përgjegjëse për dhunën fizike që çoi në vdekjen e Aminit, dhe për shtypjen brutale të protestave që pasuan.
“Jo vetëm që komiteti i ekspertëve nuk tha të vërtetën, por në mënyrë të qëllimshme shtrembëroi faktet”, tha Kanani.
Raporti, tha ai, “u përgatit nga regjimi zionist [referencë për Izraelin], Shtetet e Bashkuara dhe disa shtete perëndimore”, të cilët “vazhdojnë të shfaqin iranofobi dhe shpifin ndaj Iranit”.
Këto shtete “janë të zemëruara për shkak të dështimit të ndërhyrjeve të tyre gjatë trazirave”, tha Kanani duke iu referuar protestave.
Autoritetet iraniane thonë se “trazirat” u nxitën “nga armiqtë” e Republikës Islamike, veçmas nga Shtetet e Bashkuara.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane tha se një komitet i posaçëm për hetim të protestave, i formuar me urdhër të presidentit Ebrahim Raisi, “së fundi ka dërguar një raport final te presidenti”, duke mos dhënë detaje për gjetjet e këtij raporti.
Ekspertët e OKB-së thanë se “jo më pak se 551” protestues u vranë nga forcat e sigurisë, të cilët “përdorën forcë të panevojshme dhe disproporcionale”./rel
Reshjet e borës, zv.ministri Hyseni: Ekipet e mirëmbajtjes s...
Koreja e Jugut: Rusia furnizoi me sisteme të mbrojtjes Koren...
“Euro Natur”, shqetësimin se zona Vjosë- Nartë kërcënohet ng...
Ruben Amorim tregon mesazhin që i dha Mourinho pasi mori dre...
Zelensky: Po punojmë në zhvillimin e sistemeve të reja të mb...
Abdixhiku në QKMF-në e Prishtinës: Prezantova planin në shën...