Google ADS

KPM lanson hartën digjitale të pronësisë se mediave

13:07 | 8 Mars 2024
L G

Në konferencën e së premtes, Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka lansuar hartën digjitale të pronësisë së mediave në Kosovë.

“Sot Komisioni i Pavarur për Media lanson një projekt të ri që quhet “Harta digjitale e mediave në Kosovë”, pra mediave të licencuara nga ana e KPM-së”, tha fillimisht kryetari i KPM-së Jeton Mehmeti.

Ai tha se ky projekt (https://regjistri.kpm-ks.org/ ) është realizuar në bashkëpunim me OSCE..

Sipas tij, ky projekt ka për qëllim rritjen e transparencës së të licencuarve, të pronësisë së mediave, ruajtjen e pluralizmit medial dhe parandalimin e koncentrimit të mediave.

Po ashtu tjetër qëllim, Mehmeti tha se është parandalimi i çdo lloj formaliteti, ashtu që nëse një televizion nuk gjendet në këtë databazë, atëherë nënkuptohet se i njëjti nuk është i licencuar nga ana e KPM-së.

Ndër të tjera, Mehmeti theksoi se qytetarët do kenë tani shumë të lehtë qasjen në informatat bazike të të licencuarve të KPM-së.

Ndërsa sa i përket pronësisë së mediave, ai tha se në këtë platformë paraqiten të dhëna të detajuara mbi përqindjen e aksionarëve të një mediumi të caktuar, duke shtuar se në të ardhmen do të shtohen edhe të dhënat mbi historikun e pronësisë së mediave, pra pronarëve paraprakë.

Gjithashtu, në këtë konferencë morri pjesë edhe zëvendës ambasadorja e OSBE-së, Connie Taylor, e cila në përgjithësi foli për bashkëpunimin me KPM-në.

Po ashtu, për transparencën që ofron ky projekt foli edhe anëtari i KPM-së, Besnik Berisha.

“Kjo krijon transparencë shumë më të madhe dhe bashkë me zbatimin e rregullores për pronësi i kemi vendosur disa kufizime, në mënyrë që të mos kemi koncentrim të krijimit të opinioneve”, shtoi Berisha.

Ai tha se beson që qytetarët do të jenë në gjendje që të gjykojnë se nga po informohen dhe si po informohen.

Kurse, në fund të konferencës u bë edhe prezantimi i kësaj platforme në web-faqen zyrtare të KPM-së./BetmipërDrejtësi

Të ngjashme