Kuvendi i Kosovës ka dështuar ta votojë në lexim të dytë Projektligjin për shëndetin riprodhues (IVF) gjatë një seance të enjten, për shkak të mungesës së deputetëve në votim.
Në përpjekjen e parë për të votuar amendamentin e katërt të Projektligjit morën pjesë vetëm 46 deputet, ndërsa në tentimin e dytë vetëm 54, nga 120 deputetë sa ka Kuvendi.
Kjo është hera e katërt radhazi që pushteti tenton t’i votojë amendamentet e propozuara nga deputeti i Vetëvendosjes, Visar Korenica.
Votimi u braktis edhe nga partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Votimi ngeci te amendamenti i katërt, për të cilin deputeti nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, Visar Korenica, kishte kërkuar të bëheshin ndryshime në seancën e kaluar të 22 shkurtit.
Korenica kishte kërkuar që prej legjislacionit duhet të largohen tre paragrafë të cilët parashohin se e drejta për riprodhim u takon edhe individëve, përveç çifteve të martuara (burrit dhe gruas).
Si referencë për individë, ai i ka përmendur gratë e pamartuara dhe partnerët e gjinisë së njëjtë.
Korenica kërkoi që ky Projektligj të tërhiqet i tëri, sepse, sipas tij, ai ka “defekte”.
“Unë jam propozues, bashkë me një grup, përsëri po hymë më një votim që nuk do të ketë kuorum, e drejta e votimit, mosvotimit është në përgjegjësi të deputetit. Kërkesa jonë është që të tërhiqet ky ligj për arsye të defekteve që ka”, tha Korenica.
Në tetor të vitit të kaluar, pas shumë përpjekjesh, Kuvendi kishte arritur që me 63 vota për, një kundër dhe katër abstenime ta miratonte në lexim të parë këtë Projektligj.
Ky legjislacion ua mundëson edhe grave të pamartuara të mund të lindin fëmijë përmes metodës të fertilizimit të asistuar, i njohur si IVF, në klinikat publike.
Ky ligj ishte kundërshtuar ashpër nga një pjesë e deputetëve.
Sipas Projektligjit, të drejtën e shfrytëzimit të IVF-së e kanë edhe gratë e pamartuara, mbi 18 vjeç, që janë në gjendje të mirë shëndetësore e sociale dhe janë të afta “për fertilizim dhe për përkujdesje prindërore”.
Kosova synon që të ketë një repart të posaçëm për IVF-në në Qendrën Klinike Universitare (QKUK). Për pajisjet e nevojshme për këtë repart, Ministria e Shëndetësisë ka ndarë 1.5 milion euro./Radio Evropa e Lirë/
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...