Guvernatori Ismaili priti në takim ekspertin e Misionit të FMN-së, Gabriel Andrade

13:54 | 7 Mars 2024
R J

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z.Ahmet Ismaili së bashku me Zëvendësguvernatoren,znj. Nesrin Shileku-Shala priti në takim udhëheqësin e ekipit të ekspertëve të Misionit të Asistencës Teknike nga Departamenti Monetar dhe i Tregjeve të Kapitalit (Monetary and Capital Markets – MCM)  të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN)  në fushën e Menaxhimit të Rrezikut, z. Gabriel Andrade.

Z. Andrade është Drejtor i Departamentit të Rrezikut në Bankën Qendrore të Portugalisë (Banco de Portugal), Kryesues i Grupit Punues të Task Forcës së Qëndrueshmërisë së Eurosistemit në Bankën Qendrore Evropiane (Eurosystem Resilience Task Force) dhe Koordinator i Komitetit të Rrezikut në Bankën Qendrore të Portugalisë (banka e parë në Menaxhim të Rrezikut për vitin 2022, sipas Institutit të Bankave Qendrore).

Misioni i udhëhequr nga  z. Andrade ka për qëllim të ndihmojë Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës në ndërtimin e kapaciteteve, ngritjen e strukturave të brendshme dhe fuqizimin e funksionit të integruar të menaxhimit të rrezikut, si dhe avancimin e kuadrit rregullator bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare.  

Guvernatori Ismaili në fillim të takimit e ka njoftuar z. Andrade lidhur me aktualitetet në sistemin financiar të vendit, angazhimet e BQK-së në zbatimin e rekomandimeve të institucioneve ndërkombëtare, avancimet e mëtutjeshme në fushën e Menaxhimit të Rrezikut, dhe orientimin e BQK-së drejt fuqizimit në menaxhimin e rreziqeve tjera, me fokus në rrezikun kibernetik.  

Në këtë takim hyrës, z. Andrade është njoftuar dhe për kompletimin e Bordit Ekzekutiv të BQK-së, pas zgjedhjes së dy zëvendësguvernatorëve dhe për Strukturën Organizative të BQK-së, e miratuar në fund të vitit të kaluar.

Po ashtu, gjatë këtij takimi, i pari i BQK-së e informoi ekspertin e Misionit të FMN-së edhe mbi politikat e brendshme e atë të personelit dhe Planin e Integritetit të BQK-së.

Misioni i FMN-së do të qëndrojë tri ditë dhe do të takohet me ekipet dhe personelin e BQK-së në të gjitha nivelet e organizimit të ndërlidhura me menaxhimin e rrezikut./Arbresh.info/

Të ngjashme