Misioni ndërkombëtar për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, ka bërë një reagim pas një kërkese të Listës Serbe që Bashkimi Evropian të bëjnë analizë të punës së tyre.
Në reagim, EULEX-i i quan të pabaza kritikat e subjektit politik serb, teksa thonë se i nënshtrohen rishikimit të rregullt nga ana e shteteve anëtare të BE-së, përcjell Arbresh.info.
Reagimi i plotë:
Pas kritikave të pabaza të bëra nga Srpska Lista ditën e hënë, më 4 mars, kundër Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), japim sqarimin si në vazhdim.
EULEX-i vepron në bazë të një mandati të qartë dhe të definuar mirë i cili është i miratuar nga shtetet anëtare të BE-së dhe i cili përtërihet rregullisht çdo dy vite. Andaj, puna e EULEX-it i nënshtrohet rishikimit të rregullt nga ana e shteteve anëtare. Mandati ynë aktual është i bazuar në Vendimin e Këshillit 2023/1095.
EULEX-i ka patur mandat ekzekutiv vetëm përgjatë periudhës dhjetor 2008 deri qershor 2018, i cili ka përfshirë autoritetin për të hetuar, ndjekur penalisht dhe gjykuar rastet e krimeve të luftës të kryera në Kosovë. Gjatë asaj periudhe, EULEX-i ka kryer hetime dhe gjykime të shumta kundër individëve të të gjitha përkatësive etnike të cilët kanë qenë të dyshuar për kryerje të krimeve të luftës.
Në prill 2014, në pajtueshmëri me legjislacionin e Kosovës, kompetenca ekskluzive e EULEX-it për trajtimin e atyre veprave penale është kufizuar për lëndët që ishin në proces, kryesisht. Me këtë nënkuptohet se nga ai moment e tutje, prokurorët dhe gjyqtarët e Kosovës po ashtu u bënë përgjegjës për ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve të reja që ndërlidheshin me krime të luftës. Pas përfundimit të mandatit ekzekutiv të Misionit në sistemin e drejtësisë penale në qershor 2018, Misioni u angazhua në dorëzimin e dosjeve të lëndëve që i kishte në posedim tek autoritetet e Kosovës – ku përfshiheshin dosje policore, prokuroriale dhe gjyqësore. Ai proces i dorëzimit u përmbyll në dhjetor 2018.
Në pajtueshmëri me mandatin aktual që ka, Misioni është duke kryer monitorim të thuktë sistemik dhe tematik të rasteve të caktuara – ku përfshihen edhe krimet e luftës – përgjatë tërë zinxhirit të sistemit të drejtësisë penale, në nivel të policisë, prokurorisë dhe gjyqësorit, si dhe aspekte të sistemit të drejtësisë civile me qëllim të vlerësimit të përputhshmërisë së institucioneve të Kosovës me detyrimet e tyre për të drejtat e njeriut.
Nëse përmes këtyre aktiviteteve të monitorimit identifikohen mangësi të rënda, Misioni i adreson ato me autoritetet përkatëse dhe përgjegjëse. Tutje, gjetjet dhe rekomandimet nga monitorimi i EULEX-it në drejtësi përfshihen në raporte publike të rregullta dhe ad hoc dhe diskutohen me institucionet përkatëse në baza periodike.
Si Mision i përkushtuar për avancimin e sundimit të ligjit, EULEX-i e respekton në plotësi pavarësinë e autoriteteve gjyqësore dhe parimin e mosndërhyrjes gjatë kryerjes së aktiviteteve monitoruese të tij./Arbresh.info
Moti i keq në Shkodër, shumë zona pa energji elektrike, bllo...
Përurohet qendra e re e mjekësisë familjare në Mamushë
Ukraina: Raketa e re ruse arriti shpejtësinë mbi 13.000 kilo...
Aksident me vdekje në Bulqizë, makina del nga rruga
Drenusha: Kam hyrë beqare, mund edhe të dashurohem
Man United ‘kontakton’ yllin e Real Madridit – duan ta bëjnë...