Sveçla: Familja Jashari 26 vite më parë themeloi kthesën historike të luftës për liri

14:03 | 5 Mars 2024
E.K

Ministri i Punëve të Brendhsme, Xhelal Sveçla me rastin e shënimit të përvjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka kujtuar sakrificën e familjes Jashari.

Me anë të një postimi në Facebook, Sveçla ka shkruar se familja Jashari 26 vite më parë themeloi kthesën historike të luftës për liri e drejtësi të popullit dhe historisë sonë.

Tutje, ai është shprehur se në 26 vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nderojmë lartësinë e veprës së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe mbarë familjes Jashari.

Postimi i plotë:

Qëndresa, guximi dhe vetëmohimi i familjes Jashari 26 vite më parë themeloi kthesën historike të luftës për liri e drejtësi të popullit dhe historisë sonë.

Në mëngjesin e 5 marsit të vitit 1998 dhe për tri ditë me radhë, përballë një aparati të tërë ushtarak të Serbisë, qëndroi dhe luftoi deri në sakrificë familja e lavidshme Jashari.

Shaban Jashari me Hamzën, Ademin dhe gjithë familjen deri tek Blerina e vogël 7 vjeçare i dhanë mesazhin më të qartë Serbisë se kjo është toka jonë dhe do të mbrohet deri në vdekje.

Në 26 vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nderojmë lartësinë e veprës së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe mbarë familjes Jashari, nderojmë mishërimin e nderit tonë kombëtar e shtetëror.

Lavdi e përjetshme për dëshmorët, më të denjët e historisë sonë./Arbresh.info

Të ngjashme