Tre kabllo nënujore që ofrojnë shërbime interneti dhe telekomunikacioni në mbarë botën janë prerë në zonën që vazhdon të jetë objektiv i sulmeve të rebelëve Huthi të Jemenit, njoftuan zyrtarët të hënën. Ndërkaq, një sulm që mendohet se është bërë nga rebelët huthi i vuri zjarrin një anijeje në Gjirin e Adenit.
Është e paqartë se çfarë shkaktoi prerjen e kabllove. Ka patur më herët shqetësim se kabllot mund të bëheshin objektiv i sulmeve, që rebelët Huthi i përshkruajnë si një përpjekje për ta detyruar Izraelin t’i japë fund luftës në Rripin e Gazës. Grupi huthi mohoi të ketë sulmuar linjat kabllore.
Ndërsa është ndërprerë tashmë transporti ndërkombëtar përmes Detit të Kuq, që shërben si një pikë kalimi jetike për furnizimin nga Azia dhe Lindja e Mesme drejt Evropës, sabotimi i linjave të telekomunikacionit përshkallëzon më tej krizën që vazhdon prej muajsh.
Ndër linjat e ndërprera janë: Asia-Africa-Europe 1, Europe India Gateway, si dhe Seacom dhe TGN-Gulf, njoftoi kompania HGC Global Communications, sipas përllogaritjeve të së cilës është ndërprerë tashmë 25% e trafikut të komunikimeve përmes Detit të Kuq. Kompania thotë se linjat e Detit të Kuq janë jetike për shkëmbimin e të dhënave mes Azisë dhe Evropës. Kompania njoftoi se ka filluar zhvendosjen e transmetimit në linja të tjera.
E pyetur nga agjencia e lajmeve Associated Press, kompania Seacom tha se “nga testimet fillestare duket se segmenti i prekur gjendet në juridiksionin detar të Jemenit në pjesën jugore të Detit të Kuq”.
Në fillim të shkurtit, qeveria në mërgatë e Jemenit, e cila njihet ndërkombëtarisht, tha se grupi huthi synonte të sulmonte kabllot nënujore.
Por rebelët kanë mohuar t’i kenë sulmuar kabllot dhe fajësuan për ndërprerjen operacionet ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë, por nuk ofruan evidencë për të mbështetur akuzat e tyre. Ky grup ka bërë akuza false edhe në të kaluarën.
Që nga nëntori, rebelët Huthi kanë sulmuar vazhdimisht anijet në Detin e Kuq dhe ujërat përreth. Megjithëse janë bërë tashmë prej një muaji e gjysëm sulme ajrore ndëshkimore të drejtuara nga Shtetet e Bashkuara, rebelët vazhdojnë të kenë kapacitetet për të bërë sulme domethënëse. Vetëm të shtunën, ata goditën dhe zhytën anijen që transportonte pleh kimik, “Rubymar”, si dhe rrëzuan një dron amerikan me vlerë prej disa dhjetëra miliona dollarësh.
Të hënën, qendra operacionale e forcave britanike paralajmëroi për një tjetër sulm të bërë në Gjirin e Adenit. Sipas firmës private të sigurisë Ambrey, anija e goditur është me flamur liberian dhe transportonte mallra për një kompani izraelite. Firma Ambrey njoftoi se pati dy shpërthime dhe zjarr në bordin e anijes.
Flota e Pestë e Marinës së Shteteve të Bashkuara, e cila patrullon në Lindjen e Mesme, nuk iu përgjigj menjëherë pyetjeve për këtë sulm./voa
Abdixhiku premton: Me ne, Kosova do të anëtarësohet në NATO ...
Milani duhet të sakrifikojë Fonseca-n apo Leao-n?
OKB: Situata humanitare në Liban është më e keqe sesa në luf...
Komuna synon largimin nga rruga të rreth 1500 qenve endacakë...
Haxhiu: Shah e ping-pong me Deharin, VV-ja do të duhej të di...
Në prag të zgjedhjeve presidenciale, Pacolli udhëton drejt A...