Google ADS

Gjykata Supreme vendos se Trumpi mund të mbetet në garë për president

16:43 | 4 Mars 2024
D.H

Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara e ka hedhur poshtë kërkesën e Kolorados për t’ia ndaluar ish-presidentit, Donald Trump, garimin në zgjedhjet primare në këtë shtet.

Kolorado e kishte diskualifikuar Trumpin nga zgjedhjet primare në dhjetor, për shkak të rolit që kishte në trazirat e 6 janarit të vitit 2021, kur mbështetësit e tij sulmuan ndërtesën e Kongresit amerikan.

Gjykata Supreme vendosi të hënën se pushtetin për një vendim të tillë e ka Kongresi dhe jo shtetet.

Vendimi i sotëm nënkupton se Trumpi ka të drejtë të garojë tani në zgjedhjet primare në Kolorado.

Të gjithë nëntë gjykatësit votuan në favor të Trumpit dhe vendimi i tyre u jap fund pothuajse të gjitha përpjekjeve për t’ia ndaluar Trumpit garimin në zgjedhjet primare në shtetet e tjera.

Trumpi është lider në garën e Partisë Republikane për t’u nominuar kandidat për president dhe gjasat janë shumë të mëdha që ai të përballet përsëri me presidentin demokrat, Joe Biden, në zgjedhjet e përgjithshme presidenciale të nëntorit.

Kolorado, bashkë me 14 shtete të tjera, do të votojnë të martën në një garë maratonike që cilësohet si “Super e marta”.

Trumpi pritet të fitojë pa ndonjë telash dhe ta mposhtë kundërshtaren e vetme që i ka mbetur, Nikki Haley, në çdo fushëbetejë./rel

Të ngjashme