Kriptovaluta është një monedhë dixhitale e krijuar për të punuar si një mjet këmbimi përmes një rrjeti kompjuterik.
Fenomeni i kriptovalutave çdo herë e më shumë po i josh të rinjtë kosovarë.
Vetëm në dy vitet e fundit interesimi nga të rinjtë kryesisht të moshës 19 deri 24 vjeç, është rritur.
Kështu thotë për Arbresh.info Labinot Bajrami njohësi i fushës së kriptovalutave.
Ai ka treguar rreth kriptovalutave dhe rëndësisë së tyre në treg.
“Unë me profesion jam Inxhinier i Softuerit, kur ka dalë bitcoin, rreth vitit 2015 – 2016, ka qenë një tërheqje për neve si Inxhinierë të Softuerit, me e këqyrë çka ka në këtë botë, kjo ka qenë interesimi jem rreth botës së kriptovalutave, në fillim ka qenë aspekti teknologjik, por më vonë e kam pa që është dhe aspekti financiar pasi është më tërheqës se sa në profesionet tjera dhe pata vazhdu me marr në këtë tregun e kripto-s, me investime në fakt, në vitin 2020 kam vendosur me e lënë profesionin tim dhe me dal komplet në kripto, më shumë fiton në botën e kriptovalutave se sa në profesionet tjera”, tha ai.
Labinoti na tregon se si mbahen të informuar për zhvillimet më të fundit në tregun e kriptovalutave.
“Ne si staf, jemi staf prej 12 veta, secili e ka të ndarë me çka ka me u marrë, normalisht ato çfarë na mbajnë të informuar janë lajmet dhe analizat teknike të cilat ne i përdorim në grafitet që krijohen gjatë blerjeve dhe shitjeve, po kryesisht për me qenë i informuar, janë lajmet në përgjithësi, e në veçanti lajmet janë projektet që na i përcjellim, shumicën e rasteve janë dy platforma që mbetesh i informuar për tregun e kriptove, platforma e Twitter-it, dhe platforma e Telegramit, i cili konsiderohet si më i sigurt”, vazhdoi ai.
Ai tregon rreth sfidave dhe pengesave që ka hasur gjatë trajtimit të kriptovalutave.
“Për neve në trojet shqiptare ka sfida më shumë, sfida kryesore është që te na nuk ka ligj për kriptovaluta, në vende tjera ka, në Rajon e në Shqipëri, përderisa nuk ka ligj nuk ka as mbështetje institucionale, kjo ka qenë njëra ndër sfidat kryesore e jona, pasi që nuk ka ligj, kjo shihet paksa veprimtari e dyshimtë, domethënë, në sytë e shtetit ti je si biznes i dyshimtë, shpresojmë që më krijimin e draftit që do të bëhet për kriptovaluta, ka me u rregullu gjithçka, në aspektin global kemi hasur në vështirësi të këmbimorëve, deri vonë, Kosova nuk ka figuruar në listën e këmbimorëve, është dashtë me u regjistru me Albania ose me Serbia, pasi nuk ka ekzistuar Kosova”, tha ai.
Ai ka folur dhe rreth çmimit të Bitcoin-it që ka tejkaluar 60.000 dollarë për herë të parë që nga 18 nëntori 2021. Kriptovaluta kryesore në botë është rritur me pothuajse 16 për qind në tre ditët e fundit.
“Kriptovalutat kanë cikle dhe trende, nëse donë me e maksimizu profitin secili njeri, duhet me i ndjek trendët, në rastin kur ecë tregu, qysh jemi në këtë rast ku bitcoin ka prekë 63 mijë dollar, pas rënies në nëntor të vitit 2022 që ka qenë 16 mijë dollar, në këtë proces shumica e kriptovalutave rriten, po interesi ose qëllimi i çdo njërit që merret me kriptovaluta duhet me qenë maksimizimi i profitit në coins që hyn ose në projektet që hyn”, tha Bajrami.
Ai tregon narrativet kryesore për vitet 2024 dhe 2025.
“Në botë në përgjithësi, projektet që kanë të bëjnë me Inteligjencë Artificiale janë dukë triumfuar në çdo aspekt, projektet në kripto që kanë të bëjnë me Inteligjencë Artificiale ka pasur rritje të pakrahasueshme me projekte tjera, kështu që duhet me u ndjek trendët, personalisht mendoj që për vitin 2024 dhe vitin 2025 janë dy narrative kryesore: Inteligjenca Artificiale, Modular blockchains, Layer 1 blockchain projektet, me i ndjek këto narrative ka vullnet më shumë, e kur ka vullnet e kanë rritjen më të madhe”, vazhdoi ai.
Ndër të tjerat, ai tregon rreth interesimit të njerëzve për kriptovalutat.
“Në përgjithësi, shumë herë njerëzit kanë pasur dyshim për tregun e kriptovalutave, sidomos kur ka pasur rënie, dyshimi i fundit më i madh ka qenë në nëntor të vitit 2022, kur dështoj njëra nga kembimorët më të mëdhaja në kripto, dhe realisht e shkakton rënien e bitcoin-it, shumë njerëz janë dëshpëruar në këtë kohë, dhe kanë filluar me i tërheq investimet sepse më nuk kanë besuar në kripto, mirëpo si çdo treg tjetër, kripto e ka pasur ciklin e rënies, tash e ka ciklin e ngritjes, domethënë interesimi i njerëzve është rritur më shumë se sa që ka qenë para dy viteve”, tha Bajrami.
Labinoti tregon për interesimin e njerëzve në trojet shqiptare, dhe flet për diferencën e madhe që kanë të rinjtë në krahasim me Dubain dhe Zvicrën.
“Tek ne është interesimi i madh, në trojet shqiptare dhe sidomos në Kosovë është interesimi i madh, në vendin tonë, rinia gjithë kanë qenë më të interesum për teknologji, tash nëse e bëjmë një krahasim me vendet e Ballkanit, ne si kompani kemi seli edhe në Zvicër kemi seli edhe në Dubai, në krahasim me ato vende, kreativiteti dhe interesimi tek rinia jonë, që merren me kriptovaluta është shumë më i madh, përshembull në Dubai është qendra e kriptovalutave, njerëzit më të mëdhenj që merren me kriptovaluta janë aty, mirëpo nëse e krahason dijen e njerëzve atje dhe këtu, është një dallim i madh, nëse ti shkon diku në botë me prezantu një projekt edhe nëse e shohin se drejtori ekzekutiv është shqiptar, nuk të besojnë shumë, pa marr parasysh nëse ti ke bagazh apo jo”, tha Bajrami.
Sa i përket grupmoshave, ai tregon se cilat mosha janë më të interesuar, duke u bazuar në një sondazh që ata e kanë bërë.
“Sipas një sondazhi që na e kemi bo mosha kryesore është nga 19 – 24, sondazhin e kemi bo me kursin tonë me Kriptoshkollën një trajnim online që ne e mbajmë, mirëpo ka dhe prej moshës 16 – 18, ne i kemi dy raste, i kemi pasur dy nxënës që i kemi trajnu, atë kohë kanë qenë 16 vjeç, sot i kanë 18 vjeç, dhe janë profesionistë në trading, për dy vjet kanë arrit në një nivel të lartë që tregtojnë vetë, kanë krijuar një pasuri goxha të mirë në kripto duke tregtuar vetë, ka dhe moshë më të vjetër më shumë se 40 vjeç, mirëpo kryesorja 19-24, shumica janë në këtë zonë”, tha Bajrami.
Ai flet rreth kursit të Kriptoshkollës, ku tregon se mësimet zhvillohen online.
“Kursi është online, videot janë online të incizuara, përpos Live Stream, këto të fundit i mbajmë më nxënës në bashkëpunim me ata, nëse sot e lëshojmë një video, ata kanë me u mundu me kuptu përmes asaj videos, ndërsa të nesërmen ata kanë me u mundu me spjegu se çka kanë kuptuar, nëse kanë kuptuar diçka gabim e sqarojmë nga fillimi, zakonisht Live Stream zgjasin 5 deri në 6 orë, për arsyeje se duam të kemi kualitet jo vetëm kuantitet”, vazhdoi ai.
Ai tregon për fazën kritike të bitcoin-it, ku krahason bitcoin-in me altcoints.
“Në përgjithësi, bitcoin në fazën ku jemi është në një fazë tepër kritike, jemi në zonën 63.000, jemi në zonën 6900 dollarë, jemi në çmimin më të lartë që kemi arritur ndonjëherë, në rastet e tilla duhet me pas kujdes për arsye se një rënie e vogël duhet me i djeg njerëzit që janë në altcoins – të gjithë coins tjerë përveç bitcoins, mirëpo për shkak të dominancës së bitcoin-it, bitcoin është rrit ndërsa altcoins nuk e kanë bo lëvizjen e pritshme”, tha Bajrami.
Ndër të tjerat, ai flet për mashtrimet e njerëzve në tregun e kriptove, ku thotë se gjatë vitit 2023, janë vjedhur më shumë se 10 miliardë vlerë kripto.
“Fatkeqësisht, tregu i kriptove është një treg apo hapësirë shumë e mirë për njerëzit të cilët merren me mashtrime, për me i zhvillu mashtrimet e tyre, vetëm në vitin 2023, janë vjedhur në botë më shumë se 10 miliardë vlerë kripto, edhe në Kosovë bëhen mashtrime të ndryshme, që i mashtrojnë njerëzit, t’u ja marrë paratë në kriptovaluta, përshkak se kriptovalutat janë të zhvilluara në blockchain, ky i fundit është transparent, nuk ka identitet kush – kujt, po i dërgon para, ti transaksionin e sheh mirëpo nuk e din a të kam dërgu unë ty para, e sheh vetëm adresën temë, numrin temë, por nuk sheh emër”, tha Bajrami.
Ai tregon për ndikimin e evolucionit të teknologjisë në tregun e kriptovalutave në të ardhmen.
“Projektet të cilat janë me Inteligjencë Artificiale në kripto, menjëherë kanë pësuar rritje të madhe, kështu që çka do që evulon në teknologji, në teknologjinë klasike, direkt ndikon edhe në projektet në kripto çka janë ose në përgjithësi në tregun e kriptovalutave, nëse sot ChatGPT, Apple ose Google, del me inovacion të ri, që ka të bëj me Apple që i ka qit syzet, menjëherë projektet që kanë të bëjnë me ata, e kanë pasur një rritje prej këtij eventi”, tha Bajrami.
Labinoti këshillon të rinjtë që duan të investojnë në kriptovaluta, ai thotë se duhet të konsiderohet si treg financiar.
“Këshilla kryesore është me e trajtu kripton si treg financiar, jo vetëm si treg i kriptove, ose si një mundësi për me fitu para të shpejta ka raste që kanë fitu para të shpejta, mirëpo janë raste të rralla ku kanë fituar para të shpejta, ata që kanë qenë stabil në kripto, e kanë konsideruar kripton si maratonë, i kanë bo fitimet më të mëdhaja, po njëkohësisht edhe nuk kanë hup, këshilla kryesore është me e trajtu kripton si treg financiar, pa qare duhet me hy me mësu pak ekonominë, pak analiza teknike, se tregu financiar e ka këtë të mirë që nuk të lë me e fokusu vetëm në një fushë, duhesh më mësu sa më shumë sene nëse donë me e parashiku lëvizjen e radhës”, përfundon Bajrami.
Ndryshe investimi në kriptovaluta ka rreziqe të veta, pasi tregu është i ndryshueshëm. Kujdesi dhe njohuria e mjaftueshme janë të nevojshme për të ndjekur zhvillimet në këtë fushë.
Kujtojmë se ka dy vjet e gjysmë që Kuvendi i Kosovës ka ndërmarrë nismën për hartimin e një ligji që do të rregullonte fushën e monedhave virtuale – të njohura si kriptovaluta – por ende pa sukses./Arbresh.info/Rita Jakupi/
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...