Ish -drejtori i Policisë së Kosovës, tashmë deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj ka thënë se situata e sigurisë në vend është e tensionuar.
Ai shprehet se Qeveria e Kosovës ka marrë disa vendime, por pa qenë e përgatitur për sfidat që do të sjellin ato vendime.
Sipas tij, për faj të kësaj qeverie, janë rrezikuar edhe raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë.
“Nëse flasim për situatën e sigurisë mendoj që është një situatë mjaft e tensionuar sidomos kur kemi parasysh situatën në veri të vendit, Qeveria e Kosovës ka marrë disa vendime gjatë këtij mandati, vendime që ka aspekti legal kanë qenë në rregull, mirëpo çështja e implementimit të këtyre vendimeve ka qenë shumë për me u diskutu, për shkak se qeveria e vendit nuk ka qenë e përgatitur me sfidat që sjellin këto vendime. Mendoj që kjo qeveri ka dështuar në parapërgatitjen e situatave që mund të rrjedhin dhe pastaj kjo ka implikuar që institucionet e sigurisë të marrin operacione të ndryshme, ka rrezikuar jetën e policëve dhe po ashtu kemi dëmtuar skajshmërisht raportet me partnerët tanë. Veprimet e qeverisë nuk kanë qenë të koordinuara me partnerët sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe për këtë kemi dhe sanksionet ndaj Kosovës, që Bashkimi Evropian i ka imponuar ndaj Kosovës”, ka thënë Qalaj.
Por, kur pyetet se çfarë do cilësonte si sukses dhe dështim të kësaj qeveria gjatë këtyre tre vjetëve, Qalaj i PDK-së zgjedh heshtjen.
“Këtu do të kisha përdor heshtjen, meqenëse nuk di ndonjë sukses, ndërsa nëse flasim për dështimet atëherë do të jetë një listë shumë e madhe e kësaj qeverie që nga çështja ekonomisë, në arsim, shëndetësi, menaxhimi i çmimeve, i energjisë e shumë dështime të tjera, kësaj qeverie iu ka dashtë një krizë dhe qysh ka ndodh me krizën në veri që tërë vëmendja të bartet në veri ndërsa qytetarët tanë të harrojnë hallet dhe brengat që i kanë të përditshme”, është shprehur ai për Arbresh.info
Por, Qalaj vendosi të mos e komentojë as deklaratën e tij të para disa ditëve për ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, ku kishte thënë se
“Me qenë prokuror i rastit, as 5 minuta nuk ia kisha falë zotit Sveçla. E kisha arrestu dhe këdo nga Policia e Kosovës që ka leju për do veprime me u bë që nuk u dashtë me u ba”.
Ai, madje e ka sqaruar deklaratën e tij.
“Deklarata ime ka qenë e lidhur me dëshmitë që janë konfiskuar në operacionin e policisë gjatë menaxhimit të sulmit në Banjskë dhe për momentin nuk dua të flas më shumë lidhur me këtë temë”, ka theksuar deputeti i PDK-së.
Qalaj, po ashtu pohon se duhet të ketë më shumë takime mes Sindikatës së Policisë dhe ministrit Sveçla si dhe të gjendet një zgjidhje për kërkesat e drejta të policisë.
“Po mendoj që do të ketë shumë takime dhe mendoj që duhet që qeveria e vendit, ministri i Punëve të Brendshme, Sveçla dhe Sindikata të gjejnë një zgjidhje për kërkesat shumë të drejta dhe shumë të ligjshme të Policisë së Kosovës”, ka shtuar ai.
Qalaj gjithashtu zgjodhi të mos e komenton punën e pasardhësit të tij, drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha.
“Mendoj që është jo korrekte që unë të jap vlerësim, meqenëse nuk jam kompetent për këtë punë, mendoj që ju duhet t’i drejtoni pyetjet në Ministrinë e Brendshme dhe Qeveria”, ka shtuar ai ndër tjerash.
Ndërsa, ka lavde për punën e Policisë së Kosovës, duke shtuar se po përballet me shumë vështirësi dhe demotivim.
“Në aspektin operacional sidomos në veri Policia e Kosovës ka ndërmarrë shumë operacione të suksesshme dhe ne mburremi sidomos me menaxhimin e sulmit terrorist në Banjksë. Ndërsa sa i përket operacioneve tjera, policia e Kosovës është duke operuar me shumë vështirësi me shumë mangësi, në logjistik, me një trajtim jo të duhur nga aspekti i mirëqenies sociale. Ka edhe një lloj degradimi sa i përket motivimit pikërisht për ato që unë i përmenda dhe po ashtu nuk është duke u trajtuar si duhet rregullorja e brendshme e policisë, ju po e shihni që shumë polic gjenden në kafene, shumë polic nuk e respektojnë rregulloren që e ka policia kjo është për shumë arsye por unë mendoj që është demotivimi për shkak të kushteve të këqija”, ka shtuar Qalaj.
Ai shprehet skeptik sa i përket kapacitetit të Kosovës për prodhimin e dronëve.
“Mendoj që është një dëshirë e mirë, dhe mendoj që ndoshta do të duhej sa më shpejt mirëpo momentalisht Kosova nuk ka kapacitet, Kosova nuk prodhon asgjë gati sa i përket pajisjeve të sigurisë e të mos flasim për dronë. Sidoqoftë nëse ka ndonjë marrëveshje zyrtare mes shteti të Kosovës dhe Turqisë ose ndonjë shteti tjetër, mendoj që me angazhim dhe me ndarje buxhetore edhe mund të bëhet” , ishte shprehur deputeti i PDK-së.
Krejt në fund ai para kamerës së Arbresh.info ka thënë se nuk u beson aspak disa sondazheve që po publikohen në media e të cilat po nxjerrin Lëvizjen Vetëvendosje të parën.
“ Nuk kam ndonjë vlerësim pozitiv sa i përket këtyre sondazheve, ju e dini që sondazhet edhe paguhen, sido që të jetë Partia Demokratike e Kosovës angazhohet që të fitojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, ka përfunduar Qalaj.
Ndryshe, më 28 gusht të 2018, Qalaj ishte zgjedhur Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, duke u shprehur i zotuar se do të jetë në shërbim të sigurisë së qytetarëve./Arbresh.info/Kujtesë Berisha/
Studimi: Qëndrimi ulur për orë të gjata mund të dëmtojë shën...
Edi për Xhenetën, nuk e mohon se mund të ketë diçka
Gjashtë lëndë ushqyese që ndihmojnë në ndërtimin e muskujve ...
Harta e akneve në fytyrë, mesazhet e fshehura të shëndetit
Bitcoin nuk di të ndalet, i afrohet nivelit të 100 mijë doll...
Katër shenjat e horoskopit janë të motivuara veçanërisht për...