Interi rikthehet në fushë, Inzaghi rikuperon dy titullarë

16:41 | 1 Mars 2024
KRG

Interi rikthehet në stërvitje, pas një dite pushimi të merituar pas ndeshjes së fituar ndaj Atalantës, teksa me 12 pikë më shumë se vendi I dytë, tashmë ndihet më i qetë në rrugën drejt titullit kampion.

Kundërshtari i radhës i zikaltërve është Genoa, që do të zbarkojë në “San Siro” mbrëmjen e të hënës, teksa Interi do të kërkojë një tjetër 3-pikësh për të nisur “qëndisjen” e yllit të dytë në fanellë.

Ndërkohë trajneri Inzaghi ka marrë një lajm mjaft të mirë nga infermieria, pasi Marcus Thuram dhe Francesco Acerbi kanë lënë pas krahëve dëmtimet përkatëse dhe do të stërviten rregullisht me grupin.

Të dy pritet të marrin disa minuta ndaj ligurëve, ndonëse jo nga fillimi, teksa vijojnë stërvitjen e diferencuar Calhanoglu dhe Frattesi, të cilët pritet të bashkohen me grupin vetëm javën e ardhshme, për të qenë gati për sfidën me Bolognën.

Gjithsesi formacioni është telashi më i vogël për trajnerin zikaltër, pasi skuadra ka treguar se pavarësisht emrave në fushë, interpreton njësoj ndeshjet.

Ajo për të cilën Inzaghi dhe stafi i tij duhet të shqetësohen, është vetëm menaxhimi i energjive në një fazë mjaft të rëndësishme të kampionatit dhe Ligës së Kampionëve./ss

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme