Google ADS

Mulolli: Nëse dështon zbatimi i marrëveshjeve mund të merren masa të reja

09:11 | 1 Mars 2024
L G

Parlamenti Evropian ka kërkuar që Bashkimi Evropian të ndërrojë qasjen në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë për te mundësuar tejkalimin e ngërçit në dialog.

E sipas Fitim Mulollit njohës i zhvillimeve politike, moszbatimi i marrëveshjeve të arritura mes Kosovës dhe Serbisë mund të sjellin masa të reja.

“Po kërkohet përshpejtim i përfundimit të dialogut dhe sipas informatave nga Komisioni Evropian. Zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian janë në presion që të lëvizin pak nga roli lehtësues drejt një roli të negociatorit, ta forcojnë pak më shumë pozitën e tyre përballë Kosovës dhe Serbisë dhe më këtë mund të sjellin edhe masa të reja në rast të dështimeve në zbatim të marrëveshjeve të arritura deri tani”, tha Mulolli në lajmet e fundit në RTK.

Ai shtoi se është edhe pozitive kërkesa për ndryshim e qasjes ndaj Kosovës e që sipas tij kjo do të nënkuptonte heqjen e masave që aktualisht janë në fuqi, si dhe të kërkojnë më shumë përgjegjësi nga Vuçiq dhe nga Beogradi zyrtar për sulmin në Banjskë.

“Po shohim lëvizje në Bruksel dhe ka disa indikator që tregojnë se do të ndryshojë pak qasja dhe do të fuqizohet roli I BE-së në relacion me palët në dialog”, tha Mulolli.

Tutje ai tha se me vendim e Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin është humb nga skena rasti i Banjskës dhe është rikthyer një çështje tjetër.

Sipas Mulollit për rastin e Banjskës, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Jashtme e Kosovës do të duhej të kishin bashkëpunim më të afërt.

“Zyrtarët e qeverisë dhe e të gjitha institucioneve të Kosovës e kanë bartë temën e Banjskës mjaft lartë në agjendë, në çdo institucion, në çdo forum ndërkombëtar, takim me palët e huaja e kanë përmendur fuqimisht dhe vazhdimisht duke përfshirë edhe konferencat për shtyp, mirëpo një gjë është dashur të ndodhë është se do të duhej të vendosin një bashkëpunim më i afërt i Ministrisë së Punëve të Brendshme me Ministrinë e Punëve të Jashtme”, tha Mulolli.

E për çështjen e dinarit ai tha se është si dikur çështja e targave në vitin 2023, e që sipas tij është tentim për të zbatuar një vendim ligjor dhe legjitim nga qeveria e Kosovës.

Por dallimi se pse po shkaktohet gjithë kjo bujë e madhe mediale, ai tha se është tek forma apo qasja se si po zbatohet, dhe se nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian qëndrojnë prapa në zbatimin e vendimit për dinarin, por se po kërkohet vetëm tranzicion.

Të ngjashme