Mungesa e fuqisë punëtore – të kualifikuar apo dhe pa kualifikime – po pengon zhvillimin ekonomik në Gjermani. Sipas Ministrit Federal të Punës Hubertus Heil, mungesa e fuqisë punëtore mund të bëhet pengesa kryesore e zhvillimit ekonomik. Prandaj, ministri i SPD ftoi më shumë se 700 përfaqësues të ekonomisë, shoqata të ndryshme dhe institucione arsimore në një kongres njëditor në Berlin.
“Atë ditë, ne do të promovojmë shumë ide të mira se si të sigurojmë një numër të mjaftueshëm të fuqisë punëtore profesionale, ide që tashmë ekzistojnë, por duhet të bëhen më të njohura,” tha Heil, i cili hapi kongresin me Ministrin e Ekonomisë Robert Habeck (Të Gjelbërit) dhe ministren e Arsimit Bettina Stark-Watzinger (FDP).
Në Gjermani, 46 milionë vetë janë aktualisht aktivë në tregun e punës, që është një rekord. “Gjermania është pra akoma një vend ku punohet shumë,” tha Heil. Ai përmendi arsimin si pikënisje për zgjidhjen e problemit të mungesës së fuqisë punëtore. Sipas ministrit, në vend ka rreth 1.6 milionë vetë të moshës 20-29 vjeç pa asnjë kualifikim. Është e rëndësishme që çdo i ri të ketë një shans për të hyrë në tregun e punës, shtoi Heil.
Më shumë gra dhe punëtorë të moshuar
Prandaj Heil kërkon që të përdoren më shumë të gjitha mjetet me ndihmën e të cilave mund të zvogëlohet mungesa e fuqisë punëtore profesionale: “Është një përqindje më e madhe e grave në totalin e popullsisë, të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuara që mund të angazhohen më shumë në punë”. Për më tepër, qëllimi është të “tërheqin koka të zgjuara dhe duar punëtorë” nga jashtë në Gjermani. “Sigurimi i punëtorëve të kualifikuar është sigurimi i mirëqenies”, theksoi ministri federal i Punës.
Ministrja federale e Arsimit Bettina Stark-Watzinger, theksoi veçanërisht mundësinë e shkollimit dual. Është një mundësi e madhe që hap derën e një karriere profesionale”, tha politikaja e FDP-së.
Çdo vit, të paktën 45 mijë të rinj e lënë shkollën pa asnjë kualifikim dhe pa asnjë diplomë, shpjegoi ministrja gjermane e Arsimit. Kjo është arsyeja pse qeveria federale, siç vuri në dukje ajo, ka nisur një program të posaçëm stimulues, me vlerë disa miliardë euro, nga i cili duhet të përfitojnë 4000 shkolla. Qëllimi i programit është të lehtësojë hyrjen e të rinjve në tregun e punës.
Sindikatat ankohen për kushtet e këqija të punës
Kryetarja e Shoqatës së Sindikatave Gjermane (DGB), Yasmin Fahimi, i sheh kushtet e këqija të punës si një shkak serioz të mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar në Gjermani. “Aty ku kushtet janë të këqija dhe ngarkesa është e lartë, do të ketë mungesë të fuqisë punëtore në afat të shkurtër apo afatgjatë”, tha Fahimi për gazetat e grupit mediatik Funke. Kushtet e këqija të punës janë një arsye e rëndësishme që punonjësit të vendosin të ndryshojnë profesionin ose pse nuk vendosin as të marrin një punë fare, pohon kreu i DGB-së. Dhe kështu “fillon rrethi vicioz”, sipas Fahimit. “Për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, puna bëhet një barrë edhe më e madhe për punëtorët e aftë të mbetur.”
Prandaj Fahimi kërkon përmirësimin e kushteve të punës për punonjësit, pra programe antistres apo marrëveshje kolektive që do të ofronin mundësi për uljen e ngarkesës. Stresi është një sinjal i qartë për punëdhënësit se duhet të bëjnë diçka për ngarkesën mendore ose fizike të punonjësve të tyre, thekson ajo. “Punëdhënësit që e injorojnë këtë, ose e kompensojnë mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar duke angazhuar edhe më shumë në punë punonjësit e tanishëm, ata e dëmtojnë vetëm veten e tyre, sepse punonjësit janë të mbingarkuar, e kjo shkon shpensh në kurriz të të gjithë shoqërisë.”
Hans-Jürgen Urban, anëtar i Bordit Drejtues të IG Metall (sindikata e punonjësve në industrinë e metaleve…) thekson një argument të ngjashëm. Në një deklaratë për rrjetin mediatik RND, ai tha: “Problemi nuk është mungesa e përgjithshme e fuqisë punëtore”. Urban shton se ka probleme me mungesën e fuqisë punëtore ku kushtet e punës janë shumë të këqija, pra ku paga është e vogël ose ku kushtet dhe kualifikimet e kërkuara për një punë janë shumë të larta. Shumë kompani ende nuk e kanë kuptuar se ndërkohë atraktiviteti i punëdhënësit është një nga kompetencat kryesore, paralajmëron Urban./DW
Rama në Marec: Ky kompleks do të qëndrojë si një dëshmi e sa...
Përurohet Kompleksi Memorial i Dëshmorëve dhe Martirëve në M...
Bizneset shqiptare në veri thonë se konsumatorëve atje do t’...
Sot dy ndeshje të zjarrta në Superligë, vëmendja te Llapi – ...
Trump lë jashtë administratës së re Haley dhe Pompeon
Nesër seanca për buxhetin e Kosovës