Google ADS

Konjufca bëri homazhe në Likoshan dhe Qirez

17:50 | 28 Shkurt 2024
KRG

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, bëri homazhe dhe vendosi lule në kompleksin e varrezave të Likoshanit dhe Qirezit, në përkujtim dhe nderim të civilëve shqiptarë të vrarë e të masakruar nga forcat pushtuese serbe para 26 vjetëve.

Masakrën e Likoshanit dhe Qirezit Glauk Konjufca e cilësoi fillim të gjenocidit të shtetit të Serbisë mbi popullin e Kosovës, por njëkohësisht edhe fillimin dhe masivizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përcjell Arbresh.info.

Duke kujtuar të rënët, kryetari i Kuvendit tha se ata ranë dhe u flijuan, por gjaku i tyre u bë liri dhe dritë për popullin e Kosovës.

Pas këtyre masakrave dhe akteve të gjenocidit, shtoi Konjufca, askush më nuk e vinte në dyshim se e vetmja rrugë për popullin e Kosovës ishte lufta dhe se burrat e gratë, djemtë e vajzat, ishin të gatshëm që me armë në dorë ta çlirojnë Kosovën.

“Do të nderohen dhe kujtohen gjithmonë të gjithë martirët e Republikës sonë, të cilët e dhanë jetën për lirinë e Kosovës, por edhe të gjithë dëshmorët që me armë në dorë e mbrojtën popullatën dhe i dolën përballë ushtrisë dhe policisë së Serbisë. Lavdi martirëve dhe dëshmorëve të kombit”, tha kryetari Glauk Konjufca. /Arbresh.info/

Të ngjashme