Google ADS

Rusia ndalon eksportet e benzinës

13:25 | 27 Shkurt 2024
R J

Rusia të martën ka urdhëruar një ndalesë gjashtëmujore të eksporteve të benzinës duke nisur nga 1 marsi, me qëllim që të mbahen stabile çmimet për shkak të rritjes së kërkesës nga konsumatorët dhe fermerët. Kjo ndalesë po ashtu u vendos për të mirëmbajtur rafineritë në shtetin që është eksportuesi i dytë më i madh në botë i naftës.

Ndalesa, që fillimisht u raportua nga media ruse RBC, u konfirmua nga zëvendëskryeministri rus, Alexander Novak, i cili është emëruar nga presidenti rus, Vladimir Putin, që të merret me sektorin e energjisë së shtetit.

RBC raportoi se kryeministri rus, Mikhail Mishustin, kishte miratuar ndalesën pasi Novak e propozoi këtë gjë më 21 shkurt.

“Për të kompensuar kërkesën e tepërt për produkte të benzinës, është e nevojshme që të marrë masa për të ndihmuar në stabilizimin e çmimeve në tregun e brendshëm”, citohet të ketë thënë Novak në propozimin dërguar Mishustinit.

Çmimet e benzinës në Rusi janë një çështje e ndjeshme për konsumatorët dhe fermerët në shtetin që është eksportuesi më i madh i drithit në botë para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në mars.

Po ashtu, në muajt e fundit disa rafineri ruse janë goditur nga dronët ukrainas, teksa lufta mes Rusisë dhe Ukrainës ka hyrë në vitin e tretë.

Rusia dhe Ukraina kanë goditur infrastrukturën e energjisë së njëra-tjetrës, duke synuar që të pengojnë linjat e furnizimeve dhe për të demoralizuar kundërshtarët.

Eksportet e naftës, produkteve të saj dhe gazit deri më tani janë eksportet më të mëdha të Rusisë dhe të ardhurat nga to janë një burim i rëndësishëm për ekonominë ruse prej 1.9 trilion dollarësh./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme