Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj personit që shkaktoi aksidentin me fatalitet në Podujevë

10:57 | 27 Shkurt 2024
E.K

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj M. A, nën dyshimin e ka shkaktuar aksidentin fatal, ku më 19 dhjetor të vitit të kaluar kishte humbur jetën një person.

Përveç një viktime, aksidenti që kishte ndodhur rreth orës 20:00 në rrugën “Qëndresa” në Podujevë, kishte lënë të lënduar edhe disa të tjerë, raporton Arbresh.info.

“Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj M.A i cili derisa ishte duke vozitur në fshatin Llapashticë e Poshtme të Podujevës kishte goditur një veturë dhe si për pasojë kishte vdekur një person dhe një tjetër ishte lënduar”, thuhet në njoftim.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, më 19 dhjetor 2023, rreth orës 20:00, në rrugën “Qëndresa” në Podujevë, i pandehuri i lartcekur shkakton aksident trafiku me pasojë vdekjeje për tani të ndjerin A.K., si dhe lëndime të rënda trupore të dëmtuarit N.K., në atë mënyrë që derisa i pandehuri ishte duke drejtuar automjetin e tipit “Daimler Cryesles E220” me targa vendore, në rrugën e lartcekur në drejtim të fshatit Llapashticë e Poshtme, në Podujevë.

Tutje, aktakuza thotë se i pandehuri duke qenë i vetëdijshëm se me drejtim të kundërligjshëm të mjetit të tij mund të sjellë në rrezik jetën, integritetin trupor të ndokujt ose pasurinë, në vëllim të madh dhe me vetëdije e ka lejuar ardhjen e pasojës, duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me kushtet e rrugës dhe shpejtësinë e lejuar, ashtu që humbë kontrollin dhe kalon në shiritin që shërben për lëvizje në krahun e kundërt dhe me pjesën e parë ballore të anës së majtë të automjetit të tij e goditë automjetin e tipit “VW Golf 1HXO” me targa vendore, të cilin e drejtonte i ndjeri dhe tani i dëmtuari.

Kështu, sipas prokurorisë nga forca e madhe e goditjes automjeti i të ndjerit kthehet mbrapa në drejtim të kundërt dhe përfundon jashtë rruge, me ç ‘rast lëndime vdekjeprurëse pëson tani më i ndjeri, i cili ndërron jetë në vendin e ngjarjes ndërsa lëndime të rënda trupore pëson i dëmtuari dhe një pasagjer në veturë me të pandehurin.

Prokurori i Shtetit bënë të ditur se pas ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cilat i vihet në barrë, si dhe t’i shqiptohet dënimi plotësues i ndalimit të drejtimit të automjetit./Arbresh.info/

LEXO EDHE:

Policia jep detaje për aksidentin me fatalitet në Podujevë

 

Të ngjashme