Google ADS

Zelensky mbërrin të martën në Tiranë/ Ministri Hasani: Rusia duhet të mbajë përgjegjësi për krimet

17:25 | 26 Shkurt 2024
KRG

Të martën në mbrëmje, në aeroportin e Rinasit do të zbresë një nga figurat më të njohura botërore të momentit.

Volodimir Zelensky, Presidenti i Ukrainës, që prej dy vitesh po udhëheq luftën kundër Rusisë, duke mobilizuar kombin dhe ushtrinë si dhe duke bindur pjesën më të madhe të botës, të jetë përkrah vendit të tij.

Zelenksy do të marrë pjesë në një forum që të mërkurën do të bëjë bashkë lider të BE-së dhe të Evropës Juglindore.

Si organizatore e këtij forumi, Shqipëria konfirmon edhe një herë rolin e saj si aktore e besueshme e fuqive perëndimore. Madje vendi ynë, sic tha nga Gjeneve ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, mbështet një hetim ndërkombëtar për ndëshkimin e Rusisë.

“Autorët e këtyre krimeve duhet të mbajnë përgjegjësi. Ne mbështesim plotësisht mandatin e Komisionit Hetimor dhe si anëtar i Këshillit të të Drejtave të Njeriut do të punojmë fort, së bashku me partnerët, aleatët dhe vendet të njëmendta drejt arritjes së objektivit për të vënë para drejtësisë autorët. Më 28 shkurt do të presim në Tiranë, Samitin Ukrainë-Evropa Juglindore, për të mbështetur Ukrainën dhe për të denoncuar këtë agresion të paligjshëm dhe krimet që ka sjellë ai, sepse duke vepruar kështu, ne në fakt po luftojmë për të drejtat e njeriut dhe sistemin e bazuar në rregulla.”

Nga Bashkimi Evropian do të vijë Ursula Von der Leyen, ndërsa janë ende në pritje të konfirmimeve Greqia dhe Kosova, nëse do të përfaqësohen nga kryeministrat, apo nga presidentët. Serbia ka njoftuar se do të jetë e pranishme përmes presidentit Aleksander Vucic. Liderët e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të qëndrojnë edhe të enjten, në një Samit për integrimin./abcnews.al

Të ngjashme