BQK do të marrë pjesë në takimin e Brukselit

16:53 | 26 Shkurt 2024
E.G

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) kohë më parë ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet dhe takohet edhe me Bankën Popullore të Serbisë (NBS), për të fasilituar në përzgjedhjen e opsionit me të lehtë për procesin e transferimit të mjeteve përmes kanaleve bankare në llogaritë e përfituesve (në Euro).

 

Nga BQK kanë konfirmuar se do të marrin pjesë në takimin e Brukselit.

“Në këtë kuptim, edhe i përgjigjet ftesave kur janë të nevojshme, për takime të tilla informuese, siç edhe ka bërë në vazhdimësi edhe me prezencën ndërkombëtare në vend”, thuhet në një përgjigje për RTKlive. BQK bënë të ditur se do të ketë takime bilaterale dhe trilaterale sipas nevojës.

Ndryshe ditë më parë guvernatori ka thënë se BQK-ja i ka dërguar një letër Bankës Popullore të Serbisë (BKS) ku konfirmon gatishmërinë e tyre për të gjetur zgjidhje në interesin më të mirë të qytetarëve.

“Nuk ka nevojë që politika të merret me Bankën Qendrore as në Kosovë e as në Serbi, ne kemi institucionet tona. Unë pata rastin të informoj personalisht guvernatorin e Bankës Qendrore të Serbisë në një bisedë shumë të mirë në Frankfurt ku ishim bashkë në një takim vitin e kaluar në Bankën Qendrore Evropiane (ECB). Nuk shoh ndonjë dallim mes nesh sa i përket aspektit profesional dhe nuk shoh ndonjë pengesë pse ata të mos bashkëpunojnë në interes të qytetarëve tanë. Nëse politikanët qëndrojnë jashtë atij domeni, dhe ndoshta janë mësuar të ndërhyjnë, por nëse qëndrojnë jashtë, jam i sigurt se do të arrinim të zgjidhim çdo çështje që është në interes të vendit tonë. Kanë mjaft temat e tyre, por nëse do të mbetet në dorën e politikanëve të vendosin për sistemin financiar të një vendi, tashmë mund të them se ky sistem nuk do të ketë perspektivë. Jo se politikanët janë njerëz të këqij, por nuk janë bërë për atë qëllim, ata kanë punën e tyre, ne kemi tonën”, kishte thënë Ismaili për emisionin ‘Slobodno Srpski’.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme