Dy vjet pas agresionit rus, Perëndimi premton se do të vazhdojë mbështetjen për Ukrainën

18:13 | 24 Shkurt 2024
R J

Dy vjet pas agresionit rus në Ukrainë, duket se lufta nuk do të përfundojë së shpejti. Ndërsa vendi përballet me mungesa të furnizimeve ushtarake që po e dëmtojnë atë në fushën e betejës, udhëheqësit perëndimorë premtuan se do të mbështesin Kievin për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Ekspertët thonë se pa ndihmën perëndimore, Ukraina nuk do të ketë armët, municionet dhe trajnimin që i nevojiten për të mbështetur përpjekjet e luftës, as nuk do të jetë në gjendje të mbajë në këmbë ekonominë e saj të dëmtuar nga lufta.

Udhëheqësit perëndimorë vendosën lule në Kiev në murin ku janë vendosur fotografitë e ushtarëve të rënë në luftë, ndërsa Ukraina shënon përvjetorin e dytë të agresionit rus.

Vizita e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe kryeministrave të Italisë, Kanadasë dhe Belgjikës ishte një shfaqje që tregon mbështetje pasi Ukraina vuan nga mungesat e furnizimeve ushtarake që po e dëmtojnë atë në fushën e betejës.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy i mirëpriti ata në Kiev, ndërsa sulmet ruse nuk kanë të ndalur.

“Sot, jemi këtu për t’ju thënë se Evropa do të vazhdojë të qëndrojë në anën tuaj, për aq kohë sa duhet. Me më shumë mbështetje financiare, më shumë municione, më shumë trajnime për trupat tuaja, më shumë mbrojtje ajrore dhe më shumë investime në industritë e mbrojtjes të Evropës dhe Ukrainës. Do të ketë një Ukrainë të lirë dhe sovrane. Do të ketë paqe dhe begati. Dhe do të ketë Evropë”, thotë Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Europian.

“Ky vend është simboli i dështimit të Moskës. Ky vend është një simbol i krenarisë ukrainase”, tha kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni.

“Lufta juaj është lufta jonë. Ju po luftoni për sovranitetin tuaj, për territorin tuaj, për gjuhën tuaj, për kulturën tuaj, për demokracinë tuaj, por edhe për demokracinë tonë”, tha kryeministri i Kandasë.

“Populli i guximshëm i Ukrainës po lufton, i papërkulur në vendosmërinë e tij për të mbrojtur lirinë dhe të ardhmen e tij. NATO-ja është më e fortë, më e madhe dhe më e bashkuar se kurrë. SHBA-të dhe aleatët mbeten të përkushtuar për të ofruar ndihmë kritike për Ukrainën dhe për të mbajtur Rusinë përgjegjëse për agresionin e saj”, tha Presidenti Biden në një deklaratë.

Ukrainasit thonë se lufta shkatërroi jetët e tyre, megjithatë janë optimistë se ushtria do të fitojë.

“Duket si një ëndërr që ka ndryshuar plotësisht jetën time, sepse me duket sikur thjesht shkova të fle dhe u zgjova në një jetë krejtësisht tjetër. Thjesht nuk kam fjalë ta përshkruaj këtë. Lufta shkatërroi shumë jetë, mori shumë jetë. Ka një rrezik të vazhdueshëm për t’u vrarë nga raketat ruse”, thotë Oleh Papushenko, banor i Kievit.

“Në vitet në vijim nuk kam asnjë pritshmëri sepse jam realist dhe e kuptoj që me shumë gjasa lufta do të zvarritet edhe për tre-katër vitet e ardhshme. Shpresoj që shoqëria të mobilizohet, shpresoj se do ta mundim Rusinë. Këto janë shpresat e mia. Në realitet situata nuk duket mirë tani dhe ne duhet të bashkohemi përsëri dhe të luftojmë”, thotë një tjetër banor.

“Në fillim ishte e frikshme, por tani besoj se Ukraina do të fitojë. Ndihem më e qetë sepse ne jemi në gjendje t’i ndihmojmë njerëzit”, thotë një ukrainase që jeton në Poloni.

E ardhmja në fushën e betejës thonë ekspertët duket e zymtë për Ukrainën e lodhur nga lufta. Vendi po vuan nga mungesa e ushtarëve si dhe municioneve, për shkak të vonesave të ndihmës perëndimore. Forcat ukrainase përballen gjithashtu me një armik rus që tani ka korrur fitore në fushën e betejës.

“Siç tregojnë faktet në terren, asnjëra palë nuk ka fituar. Asnjëra palë nuk ka humbur. Asnjëra palë nuk është afër heqjes dorë. Dhe të dyja palët kanë shteruar pak a shumë fuqinë ushtarake dhe pajisjet me të cilat filluan luftën,” thotë ish-gjenerali britanik Richard Barrons.

“Për të dyja palët viti 2024, është një vit konsolidimi. Ato do të luftojnë të mbajnë nën kontroll atë që kanë tani dhe do të vazhdojnë të sulmojnë njëri-tjetrin. Të dyja palët janë të angazhuara në një garë për të gjetur më shumë ushtarë që të luftojnë dhe më shumë pajisje, më shumë municione dhe stërvitje më të mirë në mënyrë që të përpiqen të kenë sukses në fushën e betejës, gjë që mendoj se nuk do të jetë e mundur përpara fillimit të mesit të vitit 2025. Për të qenë i sinqertë, Rusia ka një përparësi të vogël”, thotë ai.

Ukraina hasi pengesa pasi kundërofensiva e shumëpritur e verës e viti të kaluar nuk arriti të prodhonte ndonjë përparim. Forcat e armatosura kaluan në një pozicion mbrojtës në vjeshtë për të zmbrapsur përparimet e reja nga Moska.

Më 17 shkurt, forcat ruse morën kontrollin e qytetit Avdiivka, ku trupat e Kievit ishin nën zjarr të vazhdueshëm nga ushtria ruse që afrohej nga tre drejtime. Komandantët ukrainas ishin ankuar për javë të tëra për mungesë të personelit dhe municionit. Ishte fitorja më e madhe në fushëbetejë për Rusinë që nga lufta për Bakhmutin dhe konfirmoi se ofensiva e Moskës po merrte vrull.

Larg fushëbetejës, Ukraina ka rezultuar e suksesshme në Detin e Zi, ku ka përdorur armë me rreze të gjatë për të goditur objekte ushtarake në Krime dhe dronë detare për të fundosur anijet luftarake ruse. Ukraina ka shkatërruar një të tretën e Flotës së Detit të Zi, sipas Këshillit Atlantik.

Ukraina po kërkon të blejë më shumë raketa me rreze të gjatë për të goditur thellë në territorin e pushtuar nga Rusia, një lëvizje që disa vende evropiane kanë frikë se mund të shkaktojë përshkallëzim nga Moska.

Si Rusia ashtu edhe Ukraina janë përpjekur të mbajnë të fshehta shifrat e viktimave. Megjithatë, të dhëna nga insititute dhe media të pavarura tregojnë se shifrat janë të larta për të dyja palët. Ajo që dihet, thonë ekspertët, është fakti se Ukraina është e varur nga aleatët perëndimorë dhe organizatat ndërkombëtare jo vetëm për ndihmë ushtarake, por edhe për mbështetje financiare dhe ndihmë humanitare.

Pa ndihmën perëndimore, Ukraina nuk do të ketë armët, municionet dhe trajnimin që i nevojiten për të mbështetur përpjekjet e luftës, as nuk do të jetë në gjendje të mbajë në këmbë ekonominë e saj të dëmtuar nga lufta./voa

Të ngjashme