Dëshira që gjakmarrjet dhe hakmarrjet të zhduken, pasi ishin bërë një nga pengesat kryesore për zhvillimin dhe lirinë e shqiptarëve të Kosovës, kishte bërë që 65 vjecari, Fadil Shabani nga Skenderaj, t’i bashkohej lëvizjes gjithë popullore për pajtimin e gjaqeve, që udhëhiqej nga Anton Qeta, Fehmi Agani dhe Zekrija Cana.
Shabani, i cili kishte qenë pjesë e arsimit për 42 vjet, flet ekskluzivisht për Arbresh.info, duke treguar se gjakmarrja historikisht kishte penguar dhe kishte lënë pasoja të rënda për popullin shqiptar.
Por, Shabani asnjëherë s’e kishte menduar se do vinte një ditë që do duhej ta falte edhe gjakun e djalit të tij 17 vjeçar. E për pasoj kjo do t’i kushtonte edhe me humbjen e djalit tjetër 14 vjeçar. Dy humbje të mëdha brenda tre muajve.
“Unë e kam fal gjakun e djalit, tani si shkak i atij rasti të parë, edhe djali i dytë më ka shku 14 vjecar”, mirëpo Zoti më ka shpërbly me nipa e mbesa. Sot vetëm nga unë dhe bashkëshortja ime jemi diku afër 30 anëtarë të familjes. E te kisha marr një hap të kundërt, mu hakmarrë, atëherë isha dal edhe prej rrugës së Zotit, edhe këta çka jena kanë, dikush në burgje, e keqja s’ndalet, s’ka fund.
Ai tregon si kishte nisur ngatërresa e djalit, që kishte përfunduar me vdekjen e tij.
“Në vitin 2015, nuk kishte nisur ende braktisja e fshatrave siç po ndodh tash. Njeriu kur nuk i ndodhin të ligat dhe nuk ua bën hyzmetin, edhe nuk ruhet fort. Dikush që ka pas e ka pësu prej probleme të tilla mundohet mi fut fëmijët në kontroll. Pasi nuk i kishim kujt hak, e borxh, i pengojsha fëmijët me shku deri te shkolla me luajt me top. Aty afër shkollës ishte një shitore. Djali im Valdeti, ndjesë pastë shkon me shokë, kushërinjtë. Si rini hyjnë në lojra, provojnë forcën fizike, edhe fati e ka desht që tata të ngatërrohen. Djali ka qenë i zhvilluar fizikisht, mirëpo kur ka dal prej shitores në asfalt, me hapin e parë që ka bë mu kacafyt me atë kushëririn, ka rrëshqit, se të mbathurat e rrëshqitshme dhe bjen me pjesën e prapme të kokës dhe mbet pa vetëdije. Kusherini që ka qenë moshatar me të, e ka mbajt për qafe, duke u frikësu me lëshu, ka ardhur deri te asfiksimi” rrëfen 65 vjecari.
Intervenimi në dhënien e ndihmës ndaj djalit të tij, thotë se ishte me vonesë nga personat që ishin me të dhe kur Valdeti ishte dërguar në spitalin e Skenderajt, ishte pa shenja jete.
“Pas një kohe të shkurtër prej tre javësh, i binda pjesëtarët e familjes dhe të afërmit e mi se unë kam punu, jam kanë aktivist për pajtimin e gjaqeve, tash vetë kur më ndodhi rasti, duhet me tregu veten, se atëherë krejt puna ime si aktivist del si fals”, thotë ai.
Me vendimin për faljen e gjakut të vëllaut, nuk ishte pajtuar 14 vjeçari, Aldoni.
“Të gjithë e përkrahën qëndrimin tim. Nëse dikush mërzitet, atëherë duhet mu mërzitë unë, por nëse dikush fal, atëherë ju çka keni me kundërshtu. Unë për të mirën tuaj e kam, se unë mundësinë e kam pas mu hakmarrë, se ishim numerikisht familje e gjerë, po ato as që i kam mëndu. Gjithmonë kam mëndu qysh mi afru djemtë, nipat e vëllazrit. E bëmë mirë, pa kundërshti të tjerëve, në përjashtim të djalit tim 14 vjeçar Ai ka qenë shumë i lidhur me të dhe ai më pati kundërshtu.
Ai kujton edhe fjalët e djalit të tij “Bab tan faljani, unë s’ja fali”, ishin fjalët e 14 vjecarit.
Aldoni çdo ditë kishte vizituar varrin e vëllait. Madje, kishte pasur raste kur edhe kishte fjetur te varri i tij.
“Mirëpo, nuk e mora qëndrimin e tij si serioz, thash me kalimin e kohës edhe ky e then atë…. Ishte në shkollë, shkojke ka shkolla, çdo herë po më kallëzojnë mu që s’ka pas rast ka shkuar te varri i vëllait të tij me nejt, ka pas rast kur e ka zënë edhe gjumi”.
Shabin kujton me lot në sy ditën e kobshme, kur djali i tij 14 vjeçar i kishte dhënë fund jetës në oborrin e shtëpisë.
“Tre muaj pas vdekjes së djalit, ishte ditë e hënë nëntë nëntor, e mora më të voglin tash që e kam në jetë. Ai më tha hajt shkoni ju, unë rri me nanën e ndihmojë çka të ka nevojë. Diku nga perëndimi i diellit, i kam pas do pemë në oborr në fshat ku jetonim. Një gjysmë ore para se me varë veten ka luajt me bashkëmoshatarët e tij të fshatit futboll.
14 vjeçari ishte gjetur i varur në pemë në oborrin e shtëpisë nga nipi i tij, i cili sa kishte nisur të ecte.
“Ai i thotë nënës vetë, këqyr përgatite darkën se lopën, pulat e këto tjerat i rehatojë unë. Një ndër pemët tjera që kam pas, e kam pas edhe një dudë, pesë metra para derës së shtëpisë. E merr një litarë që ne e përdorim për me lidh detelinën edhe varet. E sheh fëmija i vogël i djalit të dytë i cili veç sa kishte nis me ec, e shkon i tregon gruas time, gjyshes vet, por deri sa te shkon gruaja me heq, ai veç ka ndërru jetë”, rrëfen Shabani.
Brenda tre muajve më kanë shku dy djem, i pari 17 vjeç, i dyti 14.
Por, ai ndjehet shumë falënderues ndaj Zotit për familjen e madhe dhe të shëndoshë që ka.
“Po ka desht Zoti më ka fal boll. I kam edhe gjashtë të tjerë, dy vajza e katër djem, të gjithë janë të martuar, i parafundit është i martuar në Norvegji, i vogli e ka kry shkollën e mesme profesionale, tash ka 21 vjet.
Shabani kurrë nuk e kishte menduar hakmarrjen për djalin, kjo edhe falë pjesëmarrjes së tij në lëvizjen për pajtimin e gjaqeve, pasi qëllimi i asaj lëvizje ishte zhdukja e gjakmarrjes mes shqiptarëve/Arbresh.info/Rita Jakupi/
LEXO EDHE:
Ishte pjesë e Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve, Shabani: Brenda një dite kemi pajtuar 12 familje
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...