Analistët: Serbia ngjason më shumë në Kore të Veriut

21:49 | 23 Shkurt 2024
K.B

Parregullsitë zgjedhore të cilat u vunë në dukje nga vëzhguesit vendas dhe ndërkombëtarë, dhe për të cilat Parlamenti Evropian kërkoi nga autoritetet serbe që t`i hetojnë, treguan se demokracia në Serbi është minuar.

Siç vlerësohet nga analistët, Serbia, si vend kandidat për anëtarësim në BE, nuk mund të shpëtojë pa pasoja pas një problemi kaq të madh e që quhet vjedhja zgjedhore.

“Qe nga ardhja e Vuçiqit në pushtet në vitin 2012 nuk kemi pasur zgjedhje të lira. Por, këto zgjedhje janë padyshim një pikë kthese kur Evropa do të ndryshojë qasjen e saj. Tani do të jetë gjithnjë e më e vështirë për Vuçiqin të tregojë se Serbia po shkon drejt integrimeve evropiane. Nuk mund të shkosh drejt Evropës pa zgjedhje të lira dhe të ndershme, ky është parakushti më themelor i mundshëm”, ka thënë Dragan Popoviq, nga Qendra për Politikë Praktike.

Në procesin zgjedhor në Serbi më 17 dhjetor janë shënuar parregullsi të shumta, votimi me presion, rishkrimi joligjor i listave të votuesve, presioni dhe frikësimi i qytetarëve dhe kandidatëve, keqpërdorimi i nënshkrimeve dhe mungesa e pluralizmit mediatik.

Kjo, për ekspertët, është shenjë e kolapsit të thellë të demokracisë.

“Serbia jo vetëm që po largohet nga integrimi evropian, por edhe nga ai që quhet koncepti i shtetit ligjor, integrimi i institucioneve dhe shoqëria e lirë. Si trend tani kemi vendosjen e pushtetit personal, i cili shfuqizon ndarjen e pushtetit, pra po hyjmë në një sistem ku thjesht do t’i ngjajmë Koresë së Veriut sesa një vendi që është kandidat për anëtarësim në BE”, ka thënë Zoran Gavrilloviq, nga Byroja e Hulumtimeve Shoqërore.

Shoqëria civile thekson se pa përcaktimin e përgjegjësisë për manipulime zgjedhore nuk mund të ketë integritet në procesin zgjedhor dhe përparimin e mëtejshëm të Serbisë drejt integrimeve evropiane./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme