Google ADS

Fermerët polakë paralajmërojnë bllokimin e një pikëkalimi kyç me Gjermaninë

18:57 | 23 Shkurt 2024
K.B

Fermerët në Poloni thanë se do të bllokojnë një rrugë kyçe kufitare që e lidh shtetin me Gjermaninë, si pjesë e protestave të tyre kundër rregullave evropiane dhe importeve të lira.

Protestuesit thanë se po planifikojnë të bllokojnë autostradën kyçe A2, që lidh Varshavën me Berlinin, në pikëkalimin kufitar në Slubive. Bllokada është paraparë të zgjasë 24 orë, duke nisur nga dita e diel, tha për AFP-në zëdhënësi i lëvizjes protestuese të fermerëve në Poloni, Dariusz Wrobel.

Fermerët polakë veçse kanë organizuar protesta në kufi me Ukrainë, duke bllokuar importet bujqësore ukrainase. Fermerët e tjerë evropianë javëve të fundit po ashtu kanë organizuar protesta.

Fermerët në Poloni tha se po shënjestrojnë të ashtuquajturën Marrëveshje të Gjelbër të Bashkimit Evropian për energjinë, transportin dhe taksat. Kjo marrëveshje, sipas bllokut, synon të ulë emetimet e gazrave serrë. Fermerët veçmas janë goditur nga rritja e taksave dhe rregullave të tjera.

Sipas Wrobel, kjo nismë “është e papranueshme në formën që aktualisht është”.

Sipas tij, fermerët po ashtu kundërshtojnë importet e produkteve bujqësore nga shtetet që nuk janë pjesë e BE-së “dhe nuk respektojnë normat evropiane”.

Fermerët paralajmëruan se mbyllja e pikës kufitare me Gjermaninë është vetëm paralajmërim për autoritetet.

Fermerët në Poloni kishin protestuar edhe në kufi me Ukrainën, duke përkeqësuar raportet mes këtyre dy shteteve, pavarësisht se Varshava është një mbështetëse e madhe e Kievit në luftën e tij kundër pushtimit rus./rel

Të ngjashme