Gjykata e Apelit e ka kthyer çështjen në rigjykim ndaj të akuzuarve Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, lidhur me akuzat për vrasjen dhe dhunimi e tani të ndjerës Marigona Osmani.
Gjykata Themelore e Ferizajt më 4 gusht 2023 e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasje e Marigona Osmanit. Ndërsa ishte liruar nga akuza për dhunim. Arbër Sejdiu ishte dënuar me 15 vite burgim për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje. Sejdiu ishte liruar nga vepra penale e ndihmës në dhunim.
Në vendimin Gjykatës së Apelit, thuhet se është aprovuar ankesa e Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe ankesat e mbrojtësit të të akuzuarit Krivaqa, avokatit Admir Salihu dhe mbrojtësve të Sejdiut, avokatëve Arbnora Shefiku dhe Avni Ibrahimi.
Apeli thekson se pretendimet ankimore të Prokurorisë dhe ato të mbrojtësve për bazat tjera ankimore si dhe të përfaqësuesit të palës së dëmtuar, tani për tani janë jolëndore.
Kurse, dy të akuzuarit mbeten në paraburgim deri në një vendim tjetër nga ana e gjykatës së shkallës së parë.
Sipas vendimit të Apelit të marrë më 22 shkurt 2023, shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale konsistojnë në faktin se dispozitivi është i paqartë, i pakuptueshëm dhe jo në harmoni me dispozitat ligjore.
Po ashtu sipas Apelit, dispozitivi i aktgjykimi nga shkalla e parë është ndërtuar duke marrë për bazë kryesisht motivin e xhelozisë për kryerjen e kësaj vepre.
“Përveç kësaj motivin e xhelozisë të inkorporuar në dispozitiv të aktgjykimit, gjykata e shkallës së parë e bazon në deklaratën e të akuzuarit D.K, të dhënë gjatë ekzaminimit nga ana e eksperteve në Institutin e Psikiatrisë Forenzike, e cila deklaratë është dhënë pa udhëzimet paraprake të akuzuarit dhe pa prezencën e mbrojtësit të tij…”, thuhet në këtë vendim.
Gjithnjë sipas këtij vendimi, thuhet se mënyra e ndërtimit të akuzës dhe me pas e ricilësimit nga gjykata e shkallës së parë, sipas Apelit është hipotetike e dykuptimshme dhe e bën konfuz aktgjykimin.
Gjithashtu, edhe për të akuzuarin Sejdiu, Apeli ka gjetur se përkundër ricilësimit të kësaj vepre penale nuk ka të arsye të qarta dhe bindëse se cilat ishin veprimet e Sejdiut në drejtim të veprës penale.
Pasi kjo sipas Apelit nga përshkrimi i arsyeve të dhëna si në aktgjykim të shkallës së parë, vërtetohen vetëm nga kamerat e vendosura nga i akuzuari tjetër Krivaqa dhe jo me ndonjë provë tjetër.
Sipas Apelit, në aktgjykim dhe të shënohen faktet dhe rrethanat që përbëjnë figurën e veprës penale në mënyrë të qartë dhe se veprimi i cili përbën elemente të veprës penale duhet të jetë në pajtueshmëri me tiparet e veprës penale për të cilat shpallet fajtor i akuzuari.
Në fund, Apeli ka udhëzuar Gjykatën Themelore në Ferizaj që gjatë rigjykimit të kujdeset që veprimet e të akuzuarve të përfshihen në norma materiale të veprave penale përfshirë edhe pjesën liruese, duke i saktësuar qartë dhe kuptueshëm të gjitha faktet.
Tutje, nga Apeli është udhëzuar që provat e administruara nga palët në procedurë të administrohen secila veç e veç në ndërlidhshmëri me njëra-tjetrën dhe se në fund të mund të dilet me një vendim të drejtë dhe të ligjshëm.
Po ashtu, Apeli i ka kërkuar Themelores që gjatë rigjykimit të angazhojë ekspertë të Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe se për Sjediun të arrihet të dëshmohet vepra penale e ndihmës, duke ftuar dëshmitarë dhe të pyeten nëse kanë dëgjuar ndonjë zhurmë.
18 vjeçarja Marigona Osmani u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.
Sipas aktakuzës, Dardan Krivaqa thuhet se më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar e maltretuar në forma të ndryshme./“Betimi për Drejtësi“.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...